Gjashtë persona janë arrestuar sot nga policia në një aksion të zhvilluar kundër fajdes dhe detyrimit në Prizren dhe Suharekë.
Aksioni i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Në këtë operacion të koduar “Milioni”, janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.
Në njoftimin përbashkët të lëshuar nga Policia dhe Prokuroria, të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro. Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv