Burim Leci, aktualisht është zv/drejtor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. I rekrutuar me një konkurs që po hetohet nga Prokuroria Speciale, ‘dosti’ i Luan Dalipit, shefit të kabinetit të kryeministrit Kurti, megjithatë nuk e ka nisur rehat punën e re.
Gazeta Nacionale kishte raportuar javë më parë se si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e kishte dërguar në Gjykatë emrin e Burim Lecit. Kjo pasi Leci, njeriu i pushtetit në AKP, para se ta merrte këtë pozitë kishte qenë drejtor në kompaninë e derivateve IP Petrol.
Sa kishte qenë drejtor në këtë kompani, Burim Leci, i kishte shitur jashtëligjshëm derivate disa kompanive serbe në pjesën veriore të Kosovës. Kjo ishte evidentuar gjatë inspektimeve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Madje, veç në faturën e fundit të hasur nga MINT, shitja ishte bërë për 15 mijë litra derivate.
Kjo kishte bërë që MINT të dërgonte në Gjykatën Themelore të Prishtinës një kërkesë për fillim të procedurës për kundërvajtje kundër Burim Lecit, që tash është njeriu i dytë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar komplet dokumentacionin dhe raportet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Aty konfirmohet se ish-kolegu i Luan Dalipit, njeriu i pushtetit, para se të dërgohej në AKP, bënte dallavere me derivate me kompanitë serbe në veri.
“Kërkesë për fillim të procedurës për kundërvajtje kundër operatorit ekonomik IP-KOS dhe Burim Leci”, thuhet në krye të dokumentit.
Më pas, evidentohen dallaveret që janë bërë me firmat serbe në veri.
“Gjatë inspektimit të kryer është konstatuar me procesverbalin e inspektimit se Operatori Ekonomik Miljan Bozovic, ushtron veprimtarinë tregtare të produkteve të naftës pa leje të shitjes me pakicë për benzinë e dizel”, thuhet në hyrje të raportit.
Por, cili ishte roli i IP-KOS dhe Burim Lecit si drejtor, para se i njëjti të dërgohej në Agjencinë Kosovare të Privatizimit?
“Operatori ekonomikë i lartëcekur (Miljan Bozoviq), në momentin e inspektimit ka prezantuar dokumentin e kërkuar si faturën e fundit të furnizimit të datës 10.07.2024 të lëshuar nga operatori ekonomik IP-KOS me adresë në Preos-Graçanicë, i njëjti ka shitur 15 mijë litër të produktit dizel”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Nacionale. Pra, firma ku Burim Leci ishte drejtor, veç në faturën e fundit kishte shitur 15 mijë litra dizel te kompania serbe, në kundërshtim me ligjin.
“Operatori ekonomikë IP-KOS ka shitur me shumicë produkt të derivatit dizel, personik që nuk ka leje të shitjes me pakicë të produktit, për çka ka qenë i obliguar me nenin 7, paragrafi 1. Një veprim i tillë, ndëshkohet sipas nenit 19 të Ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtritshme”, thuhet në këtë dokument.
Kompania serbe Miljan Bozoviq të cilët IP-KOS me në krye Burim Lecin i shiste dizel, në raportin e MINT, del se nuk ka pasur leje. “Nuk posedon leje për ushtrimin e veprimtarisë afariste, për çka ka qenë i obliguar, sipas ligjit të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës apo karburanteve duhet të pajisen me leje të vlefshme”, thuhet në raportin e Inspektimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte arsyetuar duke thënë se pas 1 korrikut, Burim Leci, nuk ka nënshkruar kontrata për kompani private.
“Z. Leci është njoftuar zyrtarisht nga AKP se është përzgjedhur në këtë pozitë me datë 1 korrik 2024. Pas 1 korrikut, z.Leci nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me AKP-në në emër të ndonjë kompanie dhe nuk ka asnjë marrëdhënie pune me kompani apo organizata tjera. Për çështje të tjera, si ajo e konfliktit potencial të interesit, janë organet kompetente që trajtojnë rastet e tilla”, thuhet në përgjigje.
Skandal pas skandali
Sikur të mos mjaftonte skandali, zyrtarja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në emailet që ka siguruar Nacionale, i kishte shkruar direkt Burim Lecit. Por në cilësinë e zv/drejtorit të AKP-së. Këtij i kërkonte të merrte masa kundër kompanisë IP-KOS. Tragjikomike!
Në korrik të këtij viti, zëvendës drejtorit të AKP-së Burim Lecit, do t’i shkonte një e-mail nga zëvendës-Kryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut znj. Fixhire Salihu, e ku në CC e-mail ishte edhe vetë ministrja Rozeta Hajdari – në të cilën njoftohej AKP-ja se pas inspektimeve në veri të Kosovës, më datën 16 korrik 2024 – operacion ku ishte e përfshirë edhe vetë AKP-ja, kishin gjetur se tre operatorë ekonomik po shesin naftë –me një fjalë – në të zezën.
Por, fundi i asaj e-maile, kishte edhe një njoftim:
“Gjithashtu janë inicuar kërkesë në gjykatën kmpetente ndaj tre operatorëve të cilët i kanë furnizuar apo shitur me shumicë prodkukt personit që nuk ka leje të shitjes me pakitë të produktit’
- IP Kos shpk me drejtor Burim Leci.
Sqaruar shkurt: kjo nënkuptonte se kompania e zëvendësdrejtorit të AKP-së, Burim Leci, ishte e implikuar në shitjen e naftës në të zezën ndaj kompanive në veri të Kosovës, ku Inspektorati bashkë me institucione të tjera si AKP e Policia e Kosovës, po bënte luftën kundër krimit.
Që nënkupton: Burim Lecit i kishte shkuar e-maili nga Inspektorati i Tregut, e cila implikonte vetë Burim Lecin në shitjen e naftës ndaj kompanive që institucionet kishin gjetur se po e shisnin naftën në të zezën.
Hetimet në konkursin ku njeriu i pushtetit u rehatua në AKP
Me datën 18 shtator të këtij viti, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit arriti një dokument me rëndësi nga Policia e Kosovës. Të autorizuar prej Prokurorisë Speciale, hetuesit kanë kërkuar nga AKP-ja të gjitha dokumentet për konkursin e datës 19 janar 2024, për pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv për operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Në këtë pozitë, është emëruar Burim Leci. Ky konkurs tash është nën llupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për dyshimet se ka pasur ndikime, dhe gjithashtu pas dilemave për konflikt të interesit.
Gazeta Nacionale e ka siguruar dokumentin e Policisë së Kosovës drejtuar AKP-së. Aty, Prkuroria ka urdhëruar dosjen e kompletuar të konkursit për këtë pozitë, dhe gjithashtu vendimin mbi të cilin Burim Leci është caktuar në pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv operativ në AKP.
Deri te nisja e hetimeve, ka ardhur pas dyshimeve se ka pasur ndikime dhe gjithashtu të konflikt të interesit. Kjo, bazuar në dy arsye.
Burim Leci, ‘dost’ i Luan Dalipit, shef i kabinetit të kryeministrit Kurti. Leci e Dalipi kishin punuar bashkë në kompaninë MDA. Për këtë rast, kishte raportuar gazeta Reporteri muaj më parë.
“Kandidati Burim Leci del ka qenë një bashkëpunëtor i afërm i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit, një nga themeluesit në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë. Ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Zhvillimin e Qeverisjes në MDA, në të njëjtën kur biznesi drejtohej nga vetë Dalipi, para se ky i fundit, në shkurt të 2020-ës ta braktiste kompaninë e themeluar nga vetë ai për Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti”, thuhej në raportimin e Reporterit.
Dyshimet ishin shtuar edhe për konflikt të interesit. Kjo pasi Burim Leci, figuronte si drejtor menaxhues në “IP-KOS SH.P.K”, kompani që ka në pronësi pompa të derivateve “Ip Petrol”. E këta të fundi, kanë në shfrytëzim një numër të pompave të menaxhuara në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Z. Leci është njoftuar zyrtarisht nga AKP se është përzgjedhur në këtë pozitë me datë 1 korrik 2024. Procesi i rekrutimit ka zgjatur deri në korrik, për arsye se Agjencia ka respektuar afatet ligjore për ankesat e parashtruara në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil të Kosovës KPMShCK. Pra, procesi i konkursit ka qenë i rregullt sipas procedurave ligjore në fuqi dhe nuk bëhet fjalë për ndikime gjatë këtij procesi të hapur, konkurrues dhe i bazuar në përzgjedhje sipas meritës “arritshmërisë së rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave sipas procedurava standarde në fuqi””, thuhet në përgjigje.
Këto dy aspekte, pritet të marrin rrugë pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
15 mijë litra: