Referuar një kapërcimi të madh që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia bëri ish-politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviqit, ku përmes një videoje e pati kujtuar si një njeri të dedikuar për jetesë multietnike në veri – ndonëse ai kishte qenë prej prijësve të spastrimit etnik të shqiptarëve në veri të Mitrovicës – gazetari Lirim Mehmetaj shkroi me një reagim se Kurti “restauroi kriminelin serb”.
“As 10 vjet nuk iu deshën Albin Kurtit që ekzekutorin e shqiptarëve dhe përgjegjësin e masakrave në Veri të Kosovës ta kthejë në hero të popullit dhe ta përkujtojë si askënd tjetër”, shkroi Lirim Mehmetaj.
Postimi i plotë:
A duhen fakte të tjera?
Fotoja e parë, 5 shkurt 2013: Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Youtube është një dokumentar me titull “Dokumentar: Spastrimi etnik i shqiptarëve në Mitrovicë”.
Aty dëshmohen krimet e Oliver Ivanoviç-it gjatë vitit 2000 në Veri të Kosovës.
Në përshkrim të vendosur nga vetë Vetëvendosja thuhet se ekzekutorët e shqiptarëve ishin: “Oliver Ivanoviç…”
Fotoja e dytë, 16 janar 2023: Albin Kurti i drejtohet popullit të Kosovës duke e kujtuar Oliver Ivanoviç-in si hero të Kosovës, si hero i bashkëjetesës e multietnicitetit.
As 10 vjet nuk iu deshën Albin Kurtit që ekzekutorin e shqiptarëve dhe përgjegjësin e masakrave në Veri të Kosovës ta kthejë në hero të popullit dhe ta përkujtojë si askënd tjetër.
Kujt i duhen më shumë shpjegime se çka është qëllimi i këtij njeriu në politikë?
Nëse për më pak se një dekadë e kthen Ivanoviç-in nga një ekzekutues shqiptarësh në një hero të popullit, pse po mendoni se pas disa vitesh ky të njëjtën nuk e bën me Millosheviç-in?
Çka e ka dalluar në synim dikë si Ivanoviç nga Millosheviç-i? Asgjë.
Misioni i këtij njeriu është i qartë.
Faktet janë publike dhe më as nuk po fshihen.
Kushdo që dëshiron edhe mund ta votojë, ama ai që e voton le të bëhet i sinqertë, le të tregojë se votën po ia jep pikërisht për këtë restaurim që ky ua bën kriminelëve serbë.