-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Dënohet me 20 mijë euro gjobë biznesmeni i akuzuar për falsifikim të dokumenteve e keqpërdorim në prokurim publik

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me 20 mijë euro gjobë të akuzuarin Altin Xhemajlin, pasi i njëjti ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësinë për veprat penale, falsifikim i dokumenteve, mashtrimi i blerësve dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

Aktgjykim ndaj tij është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç dënimit me gjobë, të akuzuarit Xhemajli iu ka shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës në kohëzgjatje prej 1 viti nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

Ndryshe, në këtë rast, përveç Altin Xhemajlit, në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Ferizajt për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen Fehmi Reka, Arbërie Topalli, Arbnora Sejdiu, dhe Hajrush Leka, si dhe biznesmeni Bahri Xhemajli. Por, për shkak se i akuzuari Altin Xhemajli kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësinë procedura gjyqësore ndaj tij është veçuar.

Gjyqtari Ilir Bytyqi ka njoftuar se i akuzuari Xhemajli me mbrojtësin e tij, avokatin Besmir Rrahmani, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, ndaj të pandehurit Xhemajli për veprën penale falsifikimi i dokumenteve, është parashikuar dënimi me gjobë ose me burgim deri në katër vite. Andaj, në marrëveshje është propozuar dënimi me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Ndërsa, për veprën penale mashtrimi i blerësve, është parashikuar dënimi me gjobë ose me burgim deri në 3 tre vite, kështu, është propozuar dënimin me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Po ashtu, sipas marrëveshjes, për veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik në bashkëkryerje është parashikuar dënimi me gjobë dhe me burgim deri në 5 vite. Kështu që është propozuar dënimin me gjobë në shumë prej 5 mijë euro dhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Gjithashtu, është propozuar që të pandehurit t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej një viti nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Sa i përket marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë i akuzuari Xhemajli deklaroi se marrëveshjen e ka pranuar pas konsultimeve të mjaftueshme me avokatin e tij dhe se të njëjtën e ka nënshkruar me vullnet të plotë.

Ndërsa, prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku, tha se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes së nënshkruar mes palëve andaj, i propozoi gjykatës që të aprovoj këtë marrëveshje, dhe të akuzuarit t’i shqiptoj dënimet e propozuara.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajli, avokati Rrahmani tha se marrëveshja është nënshkruar pasi që i akuzuari ka kuptuar të gjitha kushtet dhe pasojat e saj, andaj propozoi që e njëjta marrëveshje të aprovohet.

Propozimi i palëve për marrëveshje është aprovuar nga gjykatësi, i cili shtoi se nga momenti i këtij aprovimi palëve nuk u lejohet të heqin dorë nga kjo marrëveshje.

Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarit Denis Rashiti, i cili njëjti fillimisht është marrë në pyetje nga prokurori Maloku.

“Jam në dijeni për rastin konkret. Në atë kohë kam qenë i punësuar me kontratë mbi vepër në Komunën e Ferizaj, në drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm. Në rastin konkret e di se kam marrë pjesë si vullnetar për t’i ndihmuar organizatorët, mirëpo nuk kam pas ndonjë rol të caktuar”, tha dëshmitari Rashiti.

Në pyetjen e prokurorit Maloku se a e njeh personin e quajtur Gafurr Ilazi, i njëjti tha, “po e njoh, nuk jam i sigurt por ai ka qenë menagjer i hartimit të projekteve apo zyrtar financiar nuk e di saktë”.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Fehmi Reka ngarkohet se më 4 tetor 2019, si menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Reka si përfaqësues i autoritetit kontraktues- Komunës së Ferizajt, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, me seli në Ferizaj për furnizim me mjete të punës, edhe pse ky operator nuk i kishte plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ishte i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve më 14 maj 2019, kurse kishte paraqitur referencë të falsifikuar për kryerjen e shërbimeve gjatë vitit 2017/2018, në vlerë prej 200 mijë euro.

Për këtë veprim, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.

Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të pandehurit Arbërie Topalli, Arbnora Sjediu dhe Hajrush Leka se më 27 shtator 2019, në Ferizaj se si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave në ritenderin “Pjesëmarrja në ngritjen e zhvillimit të bizneseve” të Komunës së Ferizajt, në kundërshtim LPP-në, i kishin rekomanduar komisionit të lartcekur që të lidhë kontratë me operatorin ekonomik “Altinn” Sh.p.k, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet për pjesëmarrje në tender, pasi që ka paraqitur referencë të falsifikuar.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën III të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Altin Xhemajli, më 16 shtator 2019, në Ferizaj, kishe përdorur dokumentin e falsifikuar si original- si pronar i ndërmarrjes “Altinn” Sh.p.k, dhe me rastin e dorëzimit të ofertës për tenderin e shpallur nga Komuna e Ferizajt, kishte dorëzuar referencën e falsifikuar, të lëshuar nga NSH “Besa”, me anë të së cilës referencë kompania referon se ndërmarrja “Altinn” Sh.p.k ka qenë e angazhuar në furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë “Besa”, i cili është realizuar në vitin 2017/2018.

Me këtë veprim, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.

I akuzuari Altin Xhemajli ngarkohet edhe me veprën penale “Mashtrim i blerësve” nga neni 293, par.1 të KPRK-së, pasi që në aktakuzë thuhet se i njëjti me qëllim të mashtrimit të blerësve kishte përdorur markën e cila nuk i përgjigjet llojit dhe prejardhjes së mallit.

Sipas pikës IV të aktakuzës, i pandehuri Bahri Xhemajli po akuzohet se në nëntor të vitit 2019 në Ferizaj kishte falsifikuar dokumentin me qëllim që të përdoret si origjinal, pasi që si pronar i NSH “Besa” kishte lëshuar referencë me përmbajtje të falsifikuar, me të cilën referon me përgjegjësi të plotë se kompania “Altinn” Sh.p.k, ka qenë e angazhuar me furnizimin e makinerive të ndryshme për kompaninë e tij, i cili është realizuar në vitin 2017 /2018 edhe pse e ka ditur se kompania “Altinn” Sh.p.k ishte regjistruar në vitin 2019.

Me këtë rast, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, dispozitivi i fundit i kësaj aktakuze i ngarkon të pandehurit Altin dhe Bahri Xhrmajli, se në muajin nëntor 2019, i akuzuari Altin Xhemalji si pronar i ndërmarrjes “Altini” sh.p.k, ndërsa Bahri Xhemajli si pronar i NSH “Besa”, me vetëdije kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në kundërshtim me LPP-në, ngase gjatë aplikimit në tenderin “Pjesëmarrja në ngritjen zhvillimit të bizneseve” i shpallur nga Komuna e Ferizajt, kanë paraqitur dokument të rremë me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik.

Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik në bashkëkryerje” nga neni 415, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img