Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Amerikë, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Alexander Kasanof.
Në një njoftim në Facebook, Haradinaj bën të ditur se me Kasanofin biseduan për zhvillimet politike në Kosovë.
Më tej, kreu i AAK-së, tha se në takim ka theksuar nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, njofton Klankosova.tv.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim të hapur, përmbajtësor dhe miqësor, diskutuam zhvillimet politike në Kosovë me z. Alexander Kasanof, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Falenderova z. Kasanof, administratën amerikane dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës.
Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
Vlerësova se lidershipi dhe angazhimi amerikan janë të domosdoshme për një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA dhe për përparimin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.
Arritjet e Kosovës, që nga vitet ’90, përfshirë luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit, janë bërë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët.