Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, me ftesë të Universitetit të Çikagos, në Forumin Global Pearson 2024, ndau historinë e Kosovës, nga lufta deri në shtetndërtim.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se para shumë studiuesve dhe vendimmarrësve të nivelit të lartë botëror dhe ekspertëve, paraqita vizionin tonë për një të ardhme të qëndrueshme, transmeton Klankosova.tv.
“Fola për rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Theksova rrugën e Kosovës drejt lirisë e shtetndërtimit dhe rëndësinë që ka përqafimi i vlerave perëndimore në arritjen e aspiratave tona për integrim euro-atlantik. Liria erdhi si rezultat i një procesi të gjatë. Në vitet ’90, nisi rezistencën paqësore. Në vitet 1997-1999 filluam luftën çlirimtare dhe më pas, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO-s, udhëhequr nga ShBA, të cilat çuan në liri dhe pavarësi. Ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë por ishte dhe vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Kosova, është tregim i suksesshëm, suksesin e bënë edhe më madh mbështetja dhe partneriteti që vjen nga bota demokratike e udhëhequr nga Amerika”, shkruan tutje ai.
“Kosova pret me padurim të ecë më shpejt drejt integrimit në NATO. Është e rëndësishme që shtetet të jenë përgjegjëse dhe të veprojnë me llogaridhënie”.