Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se hapja e kapitujve të parë nga Shqipëria për anëtarësim në Bashkimit Evropian, është arritje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, raporton Express.
Ai ka thënë se me anëtarësinë Shqipërisë në BE shqiptarët fuqizohehen politikisht dhe ekonomikisht.
Hoti ka përmendur edhe se si qe dy vite nuk ka mbledhje të përbashkëta të dy Qeverive.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i ka vendosur gjithë shqiptarët në rajon nën mbrojtjen e NATO-s. Me anëtarësimin e Shqipërisë në BE fuqizohemi politikisht dhe ekonomikisht. Urime Shqipërisë, Qeverisë së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve!🇦🇱
Në anën tjeter, ka dy vite që nuk ka mbledhje të përbashkëta të dy Qeverive për të avancuar më tutje harmonizimin e politikave ekonomike e sociale, arsimore e shëndetësore, ambientale, energjetike e infrastrukturore”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, Shqipëria ka hapur dje kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vlerësoi si historik këtë moment.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.