“Akt sabotimi me elemente terroriste”.
Kështu e ka quajtur ndërmarrja Trainkos, veprimin e papërgjegjshëm të disa personave që vendosën gurë në shinat e trenit, në hekurudhën Prishtinë – Pejë.
Bëhet e ditur se në bordin e trenit që udhëtonte në këtë segment, kishte 100 udhëtarë.
Tutje thuhet se madhësia e disa prej gurëve ishin 10 centimetra, duke synuar të shkaktohet frikë dëme apo pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor.
“Ndërmarrja jonë, Trainkos Sh.A., ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të siguruar që operimi me trena të jetë i sigurt dhe efektiv, sidomos në periudha të vështira, siç janë erërat e forta dhe reshjet e shiut, apo kushtet e tjera atmosferike, me masa të shtuara kujdesi për të minimizuar pasojat që mund të sjellë moti i keq në infrastrukturë. Megjithatë, nuk e kishim pritur se ndonjëherë do të rrezikohej komunikacioni hekurudhor nga veprime të paligjshme ose të dhunshme, si murosja dhe vendosja e barrikadave të gurëve, që kërkojnë forcë dhe mund për t’u vendosur. Aq më tepër, pika e përzgjedhur na bën të jemi edhe më të kujdesshëm, kur duket se ata kanë planifikuar strategji dhe dëme strategjike. Kjo na bën të reflektojmë mbi nevojën për të forcuar më tej masat tona të sigurisë dhe për të bashkëpunuar me të gjitha organet e rendit për të parandaluar ndodhitë e tilla me pasoja të rënda”, thuhet në reagimin e Trainkos-it transmeton Klankosova.tv
“Qeverisja aktuale e ndërmarrjes ka vendosur politika dhe procedura të forta për menaxhimin e situatave të ndryshme, po ashtu edhe për sigurinë e transportit hekurudhor, me qëllim garantimin e shërbimeve të nivelit të lartë, të sigurta dhe pa pengesa. Këtë fakt e vërteton edhe vigjilenca dhe profesionalizmi i makinistëve të trenit 761, i cili qarkullonte në këtë relacion në ditën përkatëse”.
“Së fundmi, ju bëjmë me dije se jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në ndërmarrje. Andaj, nuk do të biem pre e këtyre shantazheve. Po ashtu, iu kujtojmë se këto veprime nuk cënojnë vetëm Ndërmarrjet Publike Trainkos dhe Infrakos, por edhe sigurinë kombëtare dhe interesin publik”.
“Transporti hekurudhor vazhdon të jetë transporti më i sigurt i udhëtarëve. Ne angazhohemi që udhëtarëve t’u ofrojmë shërbime cilësore dhe saktësi brenda kushteve dhe mundësive, ndërsa punonjësve u ofrojmë dinjitet dhe mbështetje, për të gjithë ata që përfitojnë nga shërbimet tona