Udhëheqësit e grupit të të mbijetuarve të bombës atomike, të vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqe, kanë paralajmëruar se rreziku i luftës bërthamore po rritet, duke përsëritur thirrjen e tyre për të shfuqizuar armët bërthamore.
“Situata ndërkombëtare po përkeqësohet në mënyrë progresive dhe tani po zhvillohen luftëra pasi vendet kërcënojnë përdorimin e armëve bërthamore”, tha Shigemitsu Tanaka, i mbijetuari i bombardimeve në Nagasaki në vitin 1945 dhe bashkëdrejtues i grupit Nihon Hidankyo.
“Kam frikë se ne si njerëzim jemi në rrugën e vetëshkatërrimit. Mënyra e vetme për ta ndaluar këtë është shfuqizimi bërthamor”, shtoi ai, shkruanReuters.
Bëhet e ditur se në ndarjen e çmimeve për të mbijetuarit, Komiteti Norvegjez i Nobelit theksoi bombardimet atomike në Hiroshima dhe Nagasaki dhe punën e gjatë dekadash të grupit japonez për të çliruar botën nga armët bërthamore.
“Përpjekjet e grupit kanë një rëndësi kritike në botën sot”, tha grupi.
Ndryshe, presidenti rus Vladimir Putin sinjalizoi muajin e kaluar se Moska do të konsideronte reagimin me armë bërthamore nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj lejojnë Ukrainën të godasë thellë brenda Rusisë me raketa perëndimore me rreze të gjatë.