2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

“Na u morën mbi 115 milionë euro”, komunat kërkojnë nga qeveria që urgjentisht të zgjidhet problemi i kontratave kolektive

Kryetarët e Komunave të Kosovës kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht të zgjidhet problemi i kontratave kolektive, ku sipas tyre u janë marrë mbi 115 milionë euro.

Duke folur në takimin e sotëm të Kryetarëve të Komunave me kryeministrin Kurti dhe disa nga ministrat, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu tha se “komunat e Kosovës, tash e sa vite, po sfidohen në çdo ditë të punës së tyre, me jostabilitet financiar, pamjaftueshmëri buxhetore, pengesa e bllokada sistematike, që kanë një burim, kanë një adresë, ka një emërues të përbashkët – obligimet financiare që rrjedhin nga Kontrata Kolektive”.

Tutje, Aliu tha se “kontrata kolektive është një akt ligjor i ndërmarr nga Qeveria Qendrore, gjersa burimin e financimit e mbështet padrejtësisht në financat e pushtetit lokal. Pikërisht, në këtë mes, qëndron sfida e pakapërcyeshme financiare e Komunave të Kosovës”.

Aliu theksoi se cënimi i buxhetit të komunave është një barrë e papërballueshme.

“Janë dhjetëra shkresa, takime zyrtare, konferenca ndërinstitucionale e kumtime tona publike, ku e kemi adresuar edhe pranë nivelit qeveritar, edhe pranë organeve të drejtësisë, këtë shqetësim tonë, që ka mbërthyer financën e pushtetit lokal në çdo komunë të Kosovës.

Të cenohet buxheti edhe ashtu i pamjaftueshëm i Komunave, është një barrë e papërballueshme, me komplikime të shumëanshme e dëme të pariparueshme për Komunat e Kosovës, andaj sot e deri në zgjidhjen e kësaj çështje problemore, që shkon përtej përkatësisë partiake, etnike, Komunat njëzëri kërkojnë nga ju z. Kryeministër, nga Qeveria e Republikës së Kosovës – zgjidhjen e drejtë, meritore për obligimet financiare të Kontratave Kolektive”, tha Aliu.

Më poshtë fjala e plotë e Aliut:

I nderuar Kryeministër e Ministra!

Të nderuar Kryetarë e përfaqësues të Komunave!

– Qeveria e Republikës së Kosovës – duhet në mënyrë të menjehershme të ndaj buxhet shtesë për komunat, në proporcion me shpenzimet e kontratave kolektive si dhe

– Të nisin procedurat ligjore e buxhetore, për rimbursimin e obligimeve të paguara deri më tani nga komunat, që për buxhetet komunale paraqesin shifra shumë milionëshe.

Komunat ndër vite, kanë miliona euro më pak, për t’i investuar në projekte e nisma me dobi për qytetarët. Komunat ndër vite, kanë shtrëngesa financiare, pasiguri për të nisur e zhvilluar projekte nga bllokada e pakapërcyeshme e obligimeve të Kontratës Kolektive.

Kjo gjë, duhet të marr fund z. Kryeministër! Qytetarët, presin që kontributi i tyre, të kthehet në investim me dobi publike e jo në pasiguri të qeverisjes.

Për t’i shërbyer qëllimit për informimin tuaj të drejtë, më lejoni të ndaj para jush njoftimin se deri më tani, Komunave të Kosovës, nga arka e buxhetit komunal iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive, gjersa vetëm në dy vitet e fundit, mbi 80 milionë euro është shuma financiare e paguar nga komunat për obligimet e kontratave kolektive.

Miliona euro mungesë në arkat e komunave. Qindra projekte të parealizuara anembanë Kosovës ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara cilësisht si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore. Është kjo pasqyra financiare sot e Komunave të Kosovës. Është ky jostabiliteti buxhetor, që zvetënon autorizimet e autoritetin e institucioneve lokale.

Andaj, sa më sipër, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që:

Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi që është nënshkruese e kontratave kolektive përmes ministrive me sindikatat përkatëse, të parasheh mbulimin e plotë buxhetor të shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe për vitet vijuese përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.
Qeveria e Republikës së Kosovës, të rimbursoj mjetet e shpenzuara deri më tani nga komunat për obligimet financare që rrjedhin nga kontratat kolektive;
Të mos lejohet bllokimi i xhirollogarive të komunave për arsye të përmbarimeve si rrjedhojë e obligimeve të kontratave kolektive.
Duke qenë në lartësinë e përfaqësimit të interesit të qytetarëve, ne të zgjedhurit e tyre, kemi detyrimin që të synojmë përparimin për mirëqenien e qytetarëve, mos t’ia mohojmë investimet në dobi të tyre, të garantojmë stabilitetin financiar të komunave, të synojmë projekte që i japin dimesione të reja zhvillimi komunave tona, andaj presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga ju z. Kryeministër, të mirëkuptoni kërkesat tona, shqetësimet e brengat tona të sinqerta, duke vënë në tryezën tuaj të punës, këto shqetësime, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare – sfidave financiare të Komunave të Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img