Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pasi moti i keq goditi Shqipërinë. Situata më alarmante ishte në qarkun e Vlorës ku reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt.
Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 familje.
Vlora dje ishte në pushtetin e ujit, ndërsa çarja e kanalit të ujërave të larta bëri që uji të vërshojë nëpër qytet, lagjet kryesore biznese e banesa duke shkaktuar edhe dëme. Si asnjëherë më parë, të gjitha rrugët e qytetit u pushtuan nga uji dhe lagjet u bllokuan ku niveli i ujit arriti deri 50-60 cm.
Uji, si rrjedhë lumenjsh që kalonte nëpër rrugë, mori me vete çfarëdo i doli para, karriget dhe tavolinat e lokaleve, koshat e mbeturinave duke i spostuar në sheshin e Flamurit.