Janë mobilizuar institucionet e sigurisë dhe emergjencave në kuadër të Komunës së Prishtinës, pas reshjeve të shiut dhe paralajmërimi për vërshime të mundshme.
Kështu ka bërë të ditur, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet, Lulzim Fushtica, ku ka shtuar se intensiteti i reshjeve po rritet dhe se presin të ketë raste të vërshimeve, por sipas tij janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në këtë drejtim.
“Shpresoj që nuk do të kemi raste si në Bosnje e Hercegovinë, ne kemi bërë të gjitha parapërgatitjet. Nga sot kemi funksionalizuar Shtabin Emergjent. Kam qenë në kontakt me të gjithë përfaqësuesit që janë pjesë e shtabit, i kemi dërguar instruksionet që t’i angazhojnë ekipet kujdestare që të jenë në kujdestari 24/7, por kur kemi rrebeshe të shiut për fat të keq askush nuk më të jetë i përgatitur në të tilla raste.” – ka bërë të ditur ai në një emision në RTK.
Fushtica tha se Qendra Operative Emergjente funksionon 24 orë në 7 ditë të javës, e në të tilla raste shtohet edhe numri i zyrtarëve, prandaj ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët mund të lajmërohen në numrat e kësaj qendre emergjente që janë 080012233 dhe 080012244 nëse kanë nevojë.