Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija, në 19 vjetorin e vdekjes.
Në një komunikatë për media, LDK thotë:
“Në këtë 19 vjetor të vdekjes së intelektualit e veprimtarit të madh Faruk Spahija, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e njeriut që i dha shumë vendit dhe kauzës sonë të përbashkët për liri e demokraci.
Spahija, ishte një nga themeluesit e LDK-së në Mitrovicë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova. Në orët më të rënda për Kosovën, ai punoi me përkushtimin më të madh si kryetar i komunës së Mitrovicës, duke udhëhequr me ndershmëri dhe vizion për të ardhmen.
Përkushtimi i tij ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe roli i tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë! Le të jetë kujtimi i tij një frymëzim për të gjithë ne, për ta vazhduar rrugën që ai trasoi me përkushtim e dashuri për Kosovën.
I përhershëm kujtimi për njeriun e urtë e të dinjitetshëm, kryetarin e parë të zgjedhur të Komunës së Mitrovicës – ikonën e këtij qyteti, Faruk Spahija!”