Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë vonë në Zubin Potok, i cili dyshohet se ka shkaktuar edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar.
Lajmin e konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se nga ky shpërthim nuk ka të lënduar.
“Në Zubin Potok është raportuar një shpërthim nga i cili dyshohet se ka shkaktuar edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar e të papërfunduar”.
“Nuk ka të lënduar, ndërsa policia dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes. Ende nuk dihet se nga ҫka është shkaktuar shpërthimi, por njësitet policore adekuate janë në vendin e ngjarjes”, thuhet tutje në konfirmim.
Rastin e ka dënuar Izmir Zeqiri, kryetari Zubin Potokut, i cili tha se mbrëmë është sulmuar prona e ish-kryetarit të kësaj komune.
“Dënoj fuqishëm sulmin e mbrëmshëm ndaj pronës së ish kryetarit të komunës së Zubin Potokut dhe apeloj te organet e rendit që sulmuesit t’i kapin dhe t’i qesin para drejtësisë”, ka shkruar Zeqiri në Facebook.
“Sulmet e ngjashme të cilat po ndodhin kudër jetës dhe pronave të qytetarëve janë të papranueshme dhe nuk do të na ndalin në punën dhe angazhimet tona për rend dhe ligj”.