1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Aplikimi i Kosovës në BE: Vetëm një shtet nga Presidenca e Këshillit e ka pranuar – çka ka ndodhur deri më tani

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.

Presidenca hungareze – me mandat deri në fund të këtij viti – nuk është përgjigjur nëse do të bëjë ndonjë hap.

Qeveria e Kosovës shpreson që po.

“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thotë për Rel Klisman Kadiu, këshilltar politik i Qeverisë së Kosovës.

Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.

Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.

Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete – gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë për programin Expose të se janë dy arsye përse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka mbetur në sirtar për gati dy vjet.

“E para është arsyeja formale, ose fakti që Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së [Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja], ndërsa procesi i zgjerimit është mes vendeve anëtare dhe vendit që aplikon – nuk është proces me institucionet e BE-së. Andaj, për të avancuar tutje, duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare ose, së paku, asnjë vend anëtar të mos e kundërshtojë”.

“E dyta është mungesa e vullnetit politik nga ana e BE-së, pasi disa vende duan ta lidhin këtë edhe me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Palokaj.

Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. BE-ja, si ndërmjetësuese, ka theksuar rëndësinë e rezultateve në këtë proces, si parakusht për përparimin e tyre në rrugën evropiane.

Por, përkundër kësaj, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe shumë prej marrëveshjeve të arritura, nuk zbatohen.

Kosova, për më shumë se një vit, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat lidhen me tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kosova nuk u është përgjigjur as kërkesave të vazhdueshme të disa vendeve anëtare të BE-së për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vend të tyre, Qeveria akuzon Serbinë për qasje jokonstruktive dhe BE-në për trajtim jo të barabartë – edhe pse kjo e fundit nuk pajtohet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img