Prokuroria Speciale e Kosovës ka bashkëpunuar me disa shtete për ngritjen e aktakuzës për rastin në Banjskë.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar Nacionale, shihet se Prokuroria ka dërguar edhe letër-porosi në autoritetet e Serbisë, përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe BE-së.
Më pas, kanë bashkëpunuar me Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut.
Detajet e bashkëpunimit:
Më datë 05.10.2023, Prokurori special, ka dërguar Letër Porosi – Autoriteteve Kompetente Serbe përmes Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë.
Më datë 17.10.2023, Prokurori special, përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka dërguar letërporosi për Prokurorinë kompetente të Malit të Zi. Më datë 05.04.2024, Prokuroria Speciale ka pranuar Përgjigje nga Autoritetet kompetente të të Republikës së Malit të Zi (sipas kërkesës së dt.17.10.2024) përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Më datë 25.10.2023, Prokurori special, përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka dërguar letërporosi për autoritetet kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa më datë 22.03.2024, Prokuroria Speciale ka pranuar Përgjigje nga Autoritetet kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës (sipas kërkesës së dt.25.10.2023) përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Më datë 07.11.2023, Prokurori special, i është drejtuar Bundeskriminalamt (Departamenti – Mbrojtja Policiore Shtetërore ST21 – Gjermani) me kërkesë për ekzaminimin forenzik të pajisjeve të navigimit të veturave të konfiskuara të firmës Mercedes Benz G – Class.
Më datë 16.01.2024, Prokurori special, përmes Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka paraqitur Kërkesë për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Çështje Penale për autoritetet kompetente sipas legjislacionit dhe marrëveshjes për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.
Më datë 29.07.2024, Prokurori special, përmes Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka paraqitur Kërkesë për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Çështje Penale për Autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa më datë 26.08.2024, Prokuroria Speciale ka pranuar Përgjigje nga Autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.