Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës nga 22 vjet burgim në 15 vjet burgim.
Në njoftimin e Speciales thuhet se paneli i Gjykatës së Apelit të Speciales, kundër Salih Mustafës, ia ka shqiptuar dënimet individuale ndaj tij për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej 8, 13 dhe 15 vjet burgim, si dhe ia ka shqiptuar dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën në paraburgim.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”.
“Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Salih Mustafa ishte arrestuar më 24 shtator të vitit 2020, i cili në kohën e luftës ishte epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.