Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka paralajmëruar se do të bëjë procedimin e borxheve në procedurën përmbarimore tek përmbaruesit privat.
Në njoftim thuhet se procedimi i borxheve do të bëhet për klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve përfshirë edhe institucionet publike të cilat kanë borxhe për faturat e mbeturinave.
“Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” pas njoftimeve të vazhdueshme ne media, rrjete sociale si dhe njoftimeve përmes vërejtjeve për pagesë të mbeturinave, njofton që do të bëjë procedimin e borxheve në procedurën përmbarimore tek Përmbaruesit Privat”, thuhet në njoftim.
Afati kohor i përmbushjes së obligimeve të klientëve për pagesë të faturës së mbeturinave është deri nesër në ora 16:00.
“Po ashtu, njoftojmë gjithë klientët që Kompania “Pastrimi”, ofron mundësinë e marrëveshjes për riprogramim të borxheve me këste deri 12 muaj”.
“Ju bëjmë thirrje gjithë klientëve të Kompanisë “Pastrimi”, SH.A që të përmbushin obligimet e tyre që kanë ndaj kompanisë sonë sepse në rast të mospagesës së obligimeve (borxheve), ju njoftojmë që borxhet e pa paguara pas datës 06 Shtator 2024 do të procedohen tek Përmbaruesit Privat”, thuhet tutje në njoftimin e “Pastrimit”