Këtë të martë nga ora 14:00 në hapësirat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës do të mbahet seanca ndaj pesë të dyshuarve për rastin e vrasjes në Aktash të Prishtinës ditë më parë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca do të mbahet në vendin ku pesë të dyshuarit po trajtohen aktualisht.
“Seanca ndaj pesë të dyshuarve do të mbahet në QKUK dhe do të nisë nga ora 14:00. Seanca dëgjimore do të mbahet ndaj Salih Sekiraqës, Korab Gashit, Robert Llumnicës, Fatos Abazit dhe Valdrin Ademit”, tha Gashi për Klankosova.tv.
Të dielën e 1 gushtit të këtij viti në Aktash u shkrepën rreth 100 plumba, ku mbeti i vrarë një person. Të përfshirë në këtë përleshje me armë ishin grupet “Sekiraqët” dhe “Capat”.