14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Eksperti i Ballkanit: Çështja e Urës së Ibrit ia vlen të trajtohet në dialog, së paku si një gjest miqësor ndaj BE-së karshi Kosovës

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kërkojnë zgjidhjen e çështjes së Urës së Ibrit në kuadër të dialogut në Bruksel, eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec ka thënë se kjo çështje ia vlen të trajtohet në dialog, të paktën si një gjest miqësor ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

“Mendoj se ka një kohë që dialogu është në një lloj kome dhe kjo ka të bëjë me synimin e tij thelbësor, që t’i shtyjë palët drejt normalizimit në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Qartazi që kjo nuk po ndodhë dhe nuk duket të ketë shumë perspektivë në ringjalljen e atij dialogu politik drejt normalizimit në të ardhmen e afërt, të paktën jo këtë vit. Por, ajo që dialogu mund të bëjë është të trajtojë çështje të nivelit më të ulët si çështja se çfarë të bëhet me urën kryesore në Mitrovicë”, thotë Prelec.

Ai beson se hapja e urës pa bashkërendim ndërkombëtar mund të nxisë tensione të reja.

Por nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, mund të shohim demonstrata. Përshtypja ime, duke theksuar se kanë kaluar disa muaj prej që kam vizituar Kosovën dhe gjërat mund të kenë ndryshuar, por nga hera e fundit që kam qenë në veri përshtypja ime është se popullata atje është mjaft e frikësuar dhe se nuk ndihet sikur është në pozicion të kryej akte që tregojnë forcën siç është provuar në të kaluarën me vendosjen e barrikadave apo individ të caktuar që kryenin veprime, që disa do t’i cilësonin si paraushtarake, e të tjerë si terrorizëm kundër shtetit. Nuk duket të ketë gatishmëri tani për tani në veri të Kosovës për të bërë diçka të tillë”, tha ai.

Prelec tha se hapja e urës, më shumë se gjithçka tjetër, është një akt simbolik.

“Janë tri ura në qytet, dy prej të cilave janë të hapura për trafikun e makinave, ndërkaq ura kryesore, është dhe ka qenë, për sa kohë mbaj mend e hapur për këmbësorë dhe përdoret gjerësisht. Unë vet e kam kaluar shumë herë. Mund të shihni njerëz që shkojnë nga veriu në jug për blerje, nga jugu në veri për takime, kështu që kjo nuk është si shembja e murit të Berlinit, është një akt simbolik sepse është në qendër dhe sepse menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kjo urë ishte epiqendra ku prania paraushtarake serbe në veri u përpoq të ndalojë shqiptarët e armatosur ta kalonin urën, pra ishin aty të ashtuquajturit rojet e urës”, tha ai./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img