Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi vendimin e Penales lidhur me lëndën për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit.
Lënda kthehet për vendimmarrje dhe veprim të serishëm, raporton Alsat-M.
“Këshilli Penal pranë sektorit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Gjykatës Penale-Shkup, gjatë marrjes së vendimit, me të cilin ka konstatuar se nuk janë përmbushur parakushtet ligjore për ekstradim, nuk ka dhënë arsyetim se në cilat shkaqe është bazuar kur ka pranuar që vendimi i filluar në pajtim me nenin 75 alineja 1 nga Ligji i bashkëpunimit Ndërkombëtar në materialin penal, si procedurë e shkurtuar të udhëhiqet si procedurë e rregullt në pajtim me nenin 68 lidhur me nenin 51 nga ligji i njëjtë”, theksohet në arsyetimin e Supremes.
Sipas njoftimit veprimi dhe marrja e vendimit të tillë në gjykatën e shkallës së parë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme është i paqartë dhe i pakuptueshëm, pa arsye relevante nga të cilat këshilli është bazuar gjatë marrjes së vendimit.
“Gjatë veprimit të serishëm, gjykata e shkallës së parë është e obliguar që t’i marrë parasysh vërejtjet e theksuara, si dhe përcaktimet e Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në materialin penal dhe Konventën Evropiane për Ekstradim me Protokollin e parë dhe të dytë shtesë lidhur me Ligjin për ratifikimin e protokollit të tretë shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradim, dhe në bazë të tyre me zbatim të duhur të dispozitave të marrë vendim të drejtë dhe ligjor”, theksohet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme.