1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Hasani: Puka merr 200 euro më shumë me diplomë false, Këshilli i Etikës po i mbulon turpet – kam edhe prova tjera

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka vazhduar me akuzat ndaj Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Pukës, për doktoratën e tij në Universitetin “La Sapienza” në Itali, pavarësisht vendimit të Këshillit të Etikës për këtë rast.

Hasani ka thënë se Puka merr 200 euro më shumë se kolegët e tij “me diplomë fals”, raporton Express.

Ai ka thënë se ka edhe prova të tjera për këtë rast.

“Diplomat që merren jashtë, siç na ka thënë neve ai në fakultet, Dekani i Fakultetit Juridik, z.Puka, kam diplomë të kryer La Sapienza. Është avancu në thirrjen akademike profesor i avancuar dhe i merr 200 euro më shumë se tjerët me atë diplomë fals. Diplomën kur te merr jashtë, në Harvard me qenë, duhesh me nostrifiku. Unë jam shkollu jashtë, e kam nostrifiku. Pa nostrifikim, ajo diplomë është zero”, ka deklaruar Hasani në RTK.

Këtë rast e ka trajtuar Këshilli i Etikës, por sipas Hasanit, ky organ është tërësisht jo ligjor. Rasti thotë se do të duhej të trajtohej në Komisione disiplinore.

Për Këshillin e Etikës tha se ka shërbyer viteve të fundit për t’i mbuluar “turpet”.

“Me Ligjin për zyrtarët publik, duhet komisione disiplinore. Ai organ nuk mundet me ekzistu fare, është organ tërësisht jo ligjor, jo vetëm për këtë rast. Ai organ ka shërby viteve të fundit për me i mbulu turpet siç është rasti i falsifikimit të diplomës, rastet e ngacmimeve seksuale, rastet e plagjiateve, i ka mbulu dhe ka shërby një lloj shpërlarësi i ndërgjegjjes”, tha Hasani.

Sipas tij, Puka është duke kryer vepër penale meqë po e mban pozitën e Dekanit me diplomë fals.

“Këto janë tërësisht vepra penale. Përdorimi i një diplome dhe mbajtja e pozitës së dekanit me diplomë fals, ti bën vepër penale.  Ato ia kam drejtuar ministres dh eish-rektorit, por nuk është vepruar”.

Ai thotë se kishte ngritur dyshime edhe te kolegët nëse Puka kishte të kryer doktoratën në La Sapienza, meqë siç tha “demonstronte padijen”.

“Dekani i Juridikut, unë ju pata thënë njerëzve si është e mundur po na thotë në La Sapienzë e dy fjalë nuk di me i thanë, nuk e di ka është veriu e ka jugu.

Deri kam shku në Zagreb në takim. Unë e shihsha, në aeroport e kish problem me u gjind. Gjanat bazike të restorantit nuk i dinte, asnjë gjuhë se flet”, shtoi Hasani.

Ndryshe, Këshilli i Etikës ka marrë vendim për këtë rast në shkurt të këtij viti. Në vendim thuhet se “Këshilli i Etikës duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza” të Italisë dhe diplomën e prezantuar, konfirmon vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Prof. Asoc. Dr. Avni Puka”.

Aty citohet edhe përgjigja e Universitetit të Romës.

“Këshilli i Etikës ka shqyrtuar me kujdes faktet e prezantuara dhe provat e parashtruara nga pala e interesuar. Në këtë proces të administrimit të fakteve dhe provave janë involvuar edhe institucione relevante kombëtare dhe ndërkombëtare, siç janë Universiteti i Prishtinës dhe organet e tij, Agjencitë e pavarura institucionale si dhe vetë Universiteti i Romës në Itali.

Këshilli i Etikës ka vlerësuar këto fakte dhe prova të parashtruara secilën veç e veç dhe të gjitha së bashku dhe ka arritur në përfundimin se çështja e parashtruar mund të vendoset meritorisht. Faktet dhe provat e prezantuara nga ana e institucioneve përkatëse publike janë të padiskutueshme dhe gëzojnë prezuminin e vërtetësisë absolute”, thuhet në vendim.

Po ashtu Këshilli i Etikës ka dalë me përfundim se Puka nuk ka bërë plagjiat në punimin e doktoratës në UP.

“Këshilli i Etikës, duke u bazuar në raportin e ekspertizës profesionale, konstaton origjinalitetin e punimit të doktoratës të Prof.Asco. Dr.Avni Puka me titull: “Përgjegjësia penale e personave juridikë”, të mbrojtur me datën 08.09.2016, pranë Fakultetit Juridik, Universitetit të Prishtinës”, thuhet tutje në vendim.

Pas vendimit, Puka ishte zotuar se do t’i ndjek rrugët ligjore ndaj profesorit Hasani.

“E ndjej obligim të bëjë publike dhe të ndaj me juve këtë informatë, për shkak se para pak kohesh isha objekt i një sulmi dhe shpifjesh të ulëta në publik, me të cilat u tentua të njolloset integriteti im moral dhe profesional. Dhe, po ashtu në deklarimet e mia para juve, jam zotuar se do të ndjekë rrugët institucionale dhe ligjore. Të gjitha ato shpifje kanë qenë pjesë e një fushate të ideuar, konceptuar e organizuar kundër personalitetit tim, në kohë të caktuar dhe për qëllime të caktuara”.

“Mund të them me krenari të plotë se asnjë sulm, shpifje apo formë tjetër e shantazhit nuk më ka zmbrapsur që për këto 3 vite në detyrën e Dekanit të Fakultetit Juridik, të ndal ndikimin abuzues të individëve e grupeve, e në anën tjetër, të realizojmë reforma të thella që Fakultetin Juridik e   transformojnë në model të jashtëzakonshëm të zhvillimit”, thuhej në reagim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img