Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka folur për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, që është rikthyer në fokus të politikës vendore e ndërkombëtare.
Shea është shfaqur optimist. Sipas tij, jo shumë gjatë nga tash do të “shohim një Mitrovicë të bashkuar”.
“Duhet të krijohen rrethana ndërkombëtare të stabilitetit atje për të lëvizur përpara. Tani nuk e ndaj mendimin fatalist se për shkak se ajo urë ka qenë e mbyllur për një çerekshekulli do të mbetet përjetësisht e mbyllur”, ka thënë Shea në një intervistë në KTV.
“Kështu thoshim edhe për urat mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore gjatë luftës së ftohtë, por ato ura janë të hapura sot dhe me një Gjermani të Bashkuar. Jam i sigurt se jo shumë gjatë nga tash do të shohim një Mitrovicë të bashkuar. Por në politikë, sikurse në jetë, koha është gjithçka” – ka thënë Shea.