10.3 C
Pristina
Monday, October 28, 2024

Buy now

spot_img

Zgjedhjet më 9 shkurt, a është e gatshme KQZ-ja?

Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen me 9 shkurt 2025. Me anë të dekretit, presidentja Vjosa Osmani, e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

E nga KQZ-ja deklaruan se do t’i ndërmarrin të gjithë hapat ligjor për të filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha për RTKlive se së shpejti ky institucion do të miratojë planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve.

“Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon”, tha Elezi.

Sipas tij, këto aktivitete përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera.

Ndryshe, Presidenca tha se kjo është një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”, shkroi në Facebook Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes.

“Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Kupina tutje tha se duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

“Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve”, shkruan tutje në kumtesë.

E pas caktimit të datës së zgjedhjeve, kanë reaguar edhe tri partitë më të mëdha opozitare, ku janë shprehur optimist se do ta rrëzojnë Qeverinë Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kjo datë do të shënojë “ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.

“Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i ka ftuar simpatizantët e partisë së tij që më 9 shkurt të bëhen bashkë “për t’u ngritur si një”.

“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë! Le të bëhemi bashkë!  Më 9 shkurt, le të ringritemi si një”, shkroi ai në Facebook.

Optimist ka qenë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se ‘po vjen koha e ndryshimit dhe koha e bashkimit’.

Sipas tij, Kosova duhet të kthehet në mesin e shteteve normale.

“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit. Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, shkroi Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img