9.5 C
Pristina
Sunday, October 27, 2024

Buy now

spot_img

Caktimi i datës së zgjedhjeve, partitë opozitare optimiste se do ta rrëzojnë Qeverinë Kurti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 9 shkurt për mbajtje të zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Përmes dekretit zyrtar, të nënshkruar nga presidentja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve udhëzohet t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Vendimi i presidentes erdhi dy javë pas takimit që pati me krerët e partive politike, takim ky i cili u mbajt pa prezencën e LVV-së.

Presidenca tha se kjo është një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”, shkroi në Facebook Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes.

“Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Kupina tutje tha se duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

“Presidentja, do të kërkojë që në veçanti të monitorohet aspekti i barazisë gjinore, si në kohë fushate (debatet, pjesëmarrja, buxhetimi, dhuna virtuale, etj), ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve”, shkruan tutje në kumtesë.

E pas caktimit të datës së zgjedhjeve, kanë reaguar edhe tri partitë më të mëdha opozitare, ku janë shprehur optimist se do ta rrëzojnë Qeverinë Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kjo datë do të shënojë “ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.

“Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i ka ftuar simpatizantët e partisë së tij që më 9 shkurt të bëhen bashkë “për t’u ngritur si një”.

“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë! Le të bëhemi bashkë!  Më 9 shkurt, le të ringritemi si një”, shkroi ai në Facebook.

Optimist ka qenë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se ‘po vjen koha e ndryshimit dhe koha e bashkimit’.

Sipas tij, Kosova duhet të kthehet në mesin e shteteve normale.

“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit. Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, shkroi Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img