Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës për suspendimin e një togeri policor respektivisht Komandantit të Stacionit Policor të Skënderajt.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se dyshohet që togeri në fjalë së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e Faton Hajrizit, ish i burgosuri, i cili u vra në Serbi nga policia atje, pasi akuzohej për vrasjen e një polici serb.
“IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje)”.
“Me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -‘Sjellje e rëndë diskredituese’ e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës. Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së bazuar në fushëveprimin dhe autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor”, thuhet në njoftim.