Banorët e fshatit Gelancë në komunën e Suharekës do të përfitojnë për herë të parë ndriçim të rrugëve publike. Ky projekt inovativ, i cili synon përmirësimin e efiçencës së energjisë, është në fazën përfundimtare të zbatimit dhe përfshin instalimin e rreth 210 ndriçuesve inteligjentë. Këta ndriçues ofrojnë pesë nivele të ndryshme ndriçimi, duke kursyer energjinë dhe përshtatur nivelin e dritës për të siguruar një mjedis më të sigurt për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Kështu ka bërë të ditur përmes një kumtese, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, përcjell Klankosova.tv.
Ky investim po zbatohet nga komuna e Suharekës, në kuadër të projektit “Rruga drejt përdorimit efiçent të burimeve natyrore lokale”.
Përveç ndriçimit publik, programi synon rritjen e kapaciteteve të stafeve të komunës dhe aktorëve të tjerë vendorë për të bashkëpunuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Suharekën.
“Ky hap i rëndësishëm drejt efiçencës së energjisë dhe përmirësimit të infrastrukturës publike është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkufitar dhe angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet në kumtesë.