Shtetit i kanë ikur disa të burgosur brenda një periudhe të shkurtër. Ndonëse ministrja e Drejtësisë krekoset se është rritur siguria dhe po udhëheq suksesshëm, arratisjet e fundit po e dëshmojnë të kundërtën. Njëjtë ndodhi mëngjesin e sotëm, ka ikur i burgosuri Lorik Xhemshiti, i cili po trajtohej në Repartin e Hematologjisë në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, Xhemshiti fillimisht kishte shkuar në banjon e repartit gjoja për t’i kryer nevojat, por plani ishte që t’ia mbathte.
Rreth orës 06:00 të mëngjesit, Xhemshiti arriti që të largohej dhe dyshohet se dy zyrtarë korrektues ia mundësuan arratisjen.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se dy zyrtarët e SHKK-së të pezulluar pas këtij rasti janë Bekim Bytyqi dhe Bekim Zani – ndaj të cilëve tashmë është iniciuar hetim me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Bytyqi dhe Zani kanë qenë oficerët e caktuar të cilët po e ruanin të burgosurin që po trajtohej dhe dyshohet se ia kanë mundësuar të njëjtit arratisjen.
SHKK njoftoi se ndaj tyre ka nisur hetimi edhe nga ky institucion.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot, rreth orës 06:30, nga Reparti i Hematologjisë në SHSKUK ka ikur i burgosuri L.Xh, i njejti ishte i akuzuar për Vepren Penale Fajde. Lidhur me rastin janë pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues, ndërsa është njoftuar edhe policia. SHKK ka filluar hetimet për të zbuluar se si ka ndodhur rasti dhe do t’ju mbajë të informuar.”
Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh që kushdo që mundëson arratisjen e personit i cili gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.