Ish-Kryeinspektori i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka dalë me një shkrim ri-shkollues në dritën e zhvillimeve të fundit rreth Urës së Ibrit, duke konstatuar se “sa më shumë KFOR dhe EULEX, aq më pak sovranitet”.
Ramadani aludon që çështja e Urës së Ibrit, hapja e të cilës është kundërshtuar nga KFOR-i, mund të shndërrohe në PDSS (Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special) siç është rasti me Manastirin e Deçanit.
“Në vend se të arrinim së bashku me NATO që ta bëjmë Kosovën shtet ku KFOR nuk ka ‘PDSS’ (Property/Persons with Designation of Special Status), po duket që KFOR-i mund të shtojë në listën e PDSS edhe hapësira apo objekte tjera. P.S • PDSS do të thotë Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special”, ka shkruar Burim Ramadani.
“Në këto raste, Rregullat e Angazhimit (Rules of Engagement) ushtarak janë të prera, të qarta, nuk kompromentohen dhe përfshijnë hapjen e zjarrit, përkatësisht përdorimin e të gjitha mjeteve ushtarake për të mbrojtur PDSS-in. Kështu, sa për ilustrim është Manastiri i Deçanit”, shtoi ai.