9.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Vuçiq: Sjelljet e Kurtit përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar të turpshme thirrjen e Bashkimit Evropian që për çështjen e Bankës së Serbisë në Kosovë, të dialogohet në Bruksel, dhe ka pretenduar se sjelljet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur.

Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se i konsideron veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e degëve të Bankës së Serbisë në Kosovë, si të njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka kërkuar që zgjidhja të gjendet në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka pretenduar se me veprimet e fundit është shkelur një marrëveshje e vitit 2015, e arritur në Bruksel, për telekomunikacionin dhe Postën e Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në të kaluarën që për çështjen e shërbimeve postale të negociojnë në një fazë të mëvonshme.

Vuçiq ka thënë se ka biseduar për këtë çështje me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe që ka përcjell “mesazh të qartë”.

Ndërkohë, Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img