Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesoreshës Emine Arifi-Bakalli.
Nagavci ka thënë se e ndjera do të mbahet mend gjithmonë si një intelektuale e përkushtuar e cila ka dhënë kontribut të çmuar në ngritjen dhe ruajtjen e standardeve më të larta të shkencës së historisë.
“Ajo dha kontribut të çmuar për më shumë se dy dekada në Universitetin e Prishtinës dhe ishte një model për të gjithë kolegët dhe shumë e dashur për studentët e saj. Është autore e disa librave dhe artikujve shkencorë për historinë e Kosovës, përfshirë monografinë: ‘Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1929-1939′”.
“Veprimtaria akademike e profesoreshës Arifi Bakalli do jetë frymëzim për brezat e ardhshëm. Ngushëllime familjes, studentëve, kolegëve dhe miqve të saj. U prehtë në paqe profesoresha Arifi Bakalli!”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.