19.1 C
Pristina
Wednesday, October 16, 2024

Buy now

spot_img

Vrasja për kabllo elektrike, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit, mbrojtja rikualifikimin e veprës

Në fjalën përfundimtare në rastin ku për vrasje po akuzohet Shpejtim Knushi, Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarit, ndërsa mbrojtja thotë se nuk është vërtetuar dashja e kryerjes së veprës penale sipas përshkrimit të aktakuzës.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja e shtetit, Ardita Beqiri, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me administrimin e të gjitha provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve, u vërtetua në tërësi se i akuzuari Shpejtim Knushi, me dashje ka vrarë të ndjerin natën kritike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklarim ajo tha se e mbështet në prova, të cilat gjerësisht i ka elaboruar, si deklarata e të dëmtuarës, dëshmitarëve, dhe si dëshmitar kyç Kreshnik Alijaj, i cili kishte sqaruar secilin veprim të ndërmarrë nga ana e të akuzuarit ndaj të ndjerit, duke tentuar ta ndalojë të mos gjuajë. Megjithatë, ajo tha se është vërtetuar se me insistimin e tij, i akuzuari kalon armën nga dora në dorën tjetër dhe shtie direkt në drejtim të gjoksit të të ndjerit M.

Prokurorja Beqiri tutje tha se deklarata e tani të ndjerit, e marrë kur gjendja e tij shëndetësore ishte përmirësuar, ishte në përputhje me provat e administruara.

Më pas, prokurorja tha se është vërtetuar dashja direkte e tij për ta privuar Muhamet Junikun nga jeta, dhe kërkoi nga gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, sipas rrethanave rënduese të përshkruara në fjalën e saj përfundimtare me shkrim.

Tutje, përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Korab Bokshi, mbështeti në tërësi fjalën e prokurores së shtetit dhe shtoi se është argumentuar qartë se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se janë vërtetuar të gjitha provat materiale dhe personale që saktësojnë veprimet e tij.

Ai kërkoi dënimin e të akuzuarit konform dispozitave ligjore.

Në fjalën përfundimtare, e dëmtuara Erleta Junikaj kërkoi përkrahjen e institucioneve përkatëse, duke besuar dhe shpresuar në drejtësinë e shtetit.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Shpejtim Knushi, avokati Ndrec Dodaj, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar provat personale dhe materiale të propozuara nga palët në procedurë për qëllimin e vërtetimit të fakteve nga akuza, si dhe mbrojtjen e të akuzuarit, i cili kishte pohuar veprimet e tij lidhur me armëmbajtjen, ndërsa për veprën penale të vrasjes e ka mohuar në tërësi dashjen e kryerjes së asaj vepre.

Sipas tij, mbrojtja e të akuzuarit mbështetet në të gjitha provat që janë administruar dhe përshkrimit faktik të dispozitivit të aktakuzës në masë të madhe i referohet deponimit të të akuzuarit, pasi që i njëjti nuk e ka kontestuar përdorimin e armës, mënyrën si janë takuar, fjalosjen e tyre dhe distancën e gjuajtjes sa herë ka gjuajtur.

Avokati Dodaj tha se sipas gjendjes së përshkruar faktike dhe bindjes së tyre, rezulton se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale të vrasjes, ku provat për këtë vepër thotë se janë të pamjaftueshme dhe të pabesueshme për ta rrëzuar pafajësinë e të mbrojturit të tij. Ai thotë se përjashtohet përgjegjësia e tij në vdekjen e viktimës.

Ai thotë se nuk është vërtetuar dashja për kryerjen e veprës penale.

Një deklarim të tillë iu bashkëngjit edhe i akuzuari Shpejtim Knushi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri Shpejtim Knushi ngarkohet se më 4 korrik 2022, rreth orës 21:20, në fshatin Dujakë, Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.

Sipas aktakuzës, shkaku i vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kablloje elektrike nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë. Pas fjalosjes mes vete, në një moment i pandehuri kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 metrash, shtie fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës, e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.

Për këto, ai ngarkohet për veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img