Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas finales së Distria Krasniqit e cila arriti që t’ia sigurojë Kosovës medaljen e argjendtë.
Krasniqi nuk e arriti të artën pasi u mposht në finale, megjithatë ishte një paraqitje me kokën lartë, pasi dha performanca të jashtëzakonshme si dhe i solli Kosovës medaljen e parë të këtyre Lojërave Olimpike “Paris 2024”.
Kurti tha se jemi krenarë me rezultatin e arritur nga Distria, rezultat që sipas tij e lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos.
Postimi i plotë:
Kosova fitoi medaljen e parë në Lojërat Olimpike Paris 2024, me shkëlqimin e argjendtë të Distria Krasniqit në xhudo për femra në kategorinë deri në 52 Kg.
Xhudistja e Uzbekistanit në minutin e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje.
Distria sot gjatë ditës fitoi tri ndeshje: të parën për 39 sekonda, të dytën për 66 sekonda e të tretën për 6 minuta e 10 sekonda (2:10 sekonda në vazhdimin që quhet Golden Score).
Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos.
Të falemnderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep.