Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se beteja e partisë së tij, nuk është shtypja e mediave.
Sipas Abdixhikut, betejë për LDK-në nuk është as instalimi i ndarjes dhe përçarjes mes njerëzve, pasi tha se frustrimi s’ka qenë asnjëherë vlerë e popullit të Kosovës.
“Beteja jonë nuk është shtypja e mediave. As instalimi i ndarjes e përçarjes mes njerëzve tanë. Frustrimi popullor nuk është dhe s’ka qenë asnjëherë vlerë e popullit të Kosovës; prandaj përpjekjet e importuara për ngecje në urrejtje do t’i refuzojmë! Kemi kohë pak, e aq shumë punë përpara”, shkroi Abdixhiku.
Ai më tej foli për punimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, komunë kjo që udhëhiqet nga LDK-ja, ku tha se po i shtojnë hapësirat e kapacitetet në mënyrë që të ofrohet kujdesi modern shëndetësor për secilin banor të kësaj komune.
“Sepse kemi punë. Sepse Kosova ka aq shumë punë! Sepse e ardhmja e jo përçarja, bën preokupimin tonë”, shkroi Abdixhiku.