2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Rrezik për arratisje tjera”, kërkohet rishikimi i kritereve për vendosjen e personave në burgje të hapura

Njohës të çështjeve të drejtësisë kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që t’i rishikojë kriteret për vendosjen e personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur, pasi shohin “rrezik të arratisjeve tjera”.

Duke folur për arratisjet e fundit, me theks të veçantë të Faton Hajrizit, analistët fajësojnë institucionet përgjegjëse, pasi vendosja e personave në institucionet korrektuese të tipit të hapur që nuk janë risocializuar, është e gabuar.

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se vendosja e personave në këto institucione, që nuk janë risocializuar mjaftueshëm dhe kanë vite shumë për t’i përfunduar në institucionet korrektuese, nuk duhet të vendosen në Smrekonicë.

Bajraktari ka thënë se vendosja e këtyre personave në institucione të tipit të hapur është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale

“Referuar asaj që kemi parë dhe dispozitave ligjore të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, vlerësoj që janë bërë lëshime me rastin e rishikimit e kritereve me theks të veçantë çështja e mundësisë së vendosjes së personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur siç është rasti me Institucionet Korrektuese përkatësisht Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për faktin se koncepti i të vendosurit në një institucion të tipit të tillë i personit të dënuar nënkupton që ai person e ka kryer një pjesë bukur të madhe të dënimit dhe i ka mbetur edhe pak kohë për ta përfunduar, ka arritur një shkallë relativisht të lartë të risocializimit prandaj vendosja në këto institucione është me qëllim të lehtësimit të personit të dënuar, rikthimit të tij në jetën e përditshme, prandaj vlerësoj që me rastin e rishikimit të kritereve dhe me rastin  e vendosjes së këtij personi, përkatësisht personave të tillë në institucionet korrektuese të tipit të hapur janë bërë lëshime të cilat pastaj organet ligjzbatuese duhet t’i marrin në konsideratë”, ka thënë Bajraktari.

“Institucionet korrektuese të tipit të hapur para së gjithash duhet kuptuar që është një institucion në të cilin edhe barrierat fizike, por edhe niveli i sigurisë është relativisht i ulët, për faktin se këtu vendosen kategoria e personave me rrezikshmëri relativisht të ulët ose persona të cilët siç e thashë e kanë kryer pjesën dërmuese të dënimit dhe iu ka mbetur një kohë relativisht e shkurtër konsiderohet që kanë arritur përkatësisht shkallën e lartë të ri-socializimit dhe është një parapërgatitje që të njëjtit të rikthehen në shoqëri, prandaj mundësia  së personave të cilët nuk janë risocializuar mjaftueshëm dhe kanë vite bukur shumë për t’i përfunduar në institucionet korrektuese. Vendosja e këtyre personave në këto institucione, në bindjen time është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale”, ka deklaruar Bajraktari.

E personat që nuk kanë arritur risocializohen mjaftueshëm, përgjegjës Bajraktari i bën institucionet.

“Natyrisht që shteti është para së gjithash përgjegjës, në tri drejtime. E para që nuk ka arritur mjaftueshëm ose nuk ka arritur ta risocializojë personin në fjalë, pastaj rishikimi i kritereve dhe vendosja në institucionet korrektuese të tipit të hapur, një personit i cili nuk është risocializuar i ka mundësuar të njëjtit të arratisët nga burgu, si kundër që edhe pastaj veprimet pasuese pas arrestimit të të njëjtit. Mundësia e largimit të tij nga Kosova, të gjitha këto kanë rezultuar me atë çfarë në fakt tashmë jemi dëshmitarë të gjithë. Prandaj në të gjitha, para së gjithash dhe në radhë të parë janë organet shtetërore përgjegjëse”.

Rishikim të politikave nga Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar edhe hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala. Shala ka thënë për Ekonomia Online, se është e nevojshme që Ministria e Drejtësisë të rishikojë politikat e saj. Ai ka thënë se duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip të hapur të burgjeve.

“Fillimisht duhet të theksuar faktin se zotëri Hajrizi ka qëndruar në burg për vite me radhë dhe për gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, vetë dënimi i shqiptuar supozohet që të arrijë njërin prej qëllimeve të tij, e që është parandalimi i kryerjes dhe risocializimi i tij riintergrimit në atë mënyrë që i njëjti të kthehet si person i dobishëm në shoqëri. Ndërsa në rastin konkret për kundër faktit që kanë kaluar për vite të tëra të mbajtjes së burgimit duket se ky qëllim nuk është arritur dhe kjo situatë flet për nevojë për shikim dhe rishikimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues në drejtim të risocializimit dhe të riintegrimit të personave të cilët mbajnë dënim. Sa i përket arratisjes së tij, nga burgu i hapur i Smerkonicës, është shumë e nevojshme që Ministria e Drejtësisë të rishikojë politikat e saj, sa i përket vendosjes së personave në burgje të tipit të hapur, duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip atë të hapur të burgjeve. Definitivisht të gjitha rrethanat janë arsye që Ministria e Drejtësisë të qasen dhe të analizojnë të gjithë këtë situatë”, ka thënë Shala.

Shala ka adresuar kritika edhe për deklaratat e ministres Albulena Haxhiu, e cila raportoi për një rrezik kombëtar dhe për “një ndërhyrje të një shteti tjetër në burgjet e Kosovës”.

“Ministria e Drejtësisë duhet të reflektojë përballë kësaj për të nxjerr nevojat që ka Shërbimi Korrektues, burgjet e Kosovës. Për kundër kësaj ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur të theksoj se fajtor për këtë është shteti serb, që po ndikon në burgjet e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht përballë kësaj deklarate ajo çfarë do të prisja unë që kryeministri ta ftonte atë në takim dhe ta pyeste se si është ky lloj ndikim cilat janë kompetencat tona dhe se si do të mundin ta ndalim, këtë ndikim serbë në burgjet e Kosovës mirëpo, përkundër kësaj kryeministri kritikoi Prokurorinë Speciale i cila thjeshtë bëri punën e vet. Thjeshtë e intervistojë ministren e Drejtësisë e cila në publik raportoi për një rrezik kombëtar, për një ndërhyrje të një shteti tjetër në burgjet e Kosovës. Dhe për këtë arsye kjo qasje e kryeministrit dhe ministres, mënyra se si e ka plasuar pa marrë parasysh se a është e vërtetë ose jo, është problematike”, u shpreh Shala.

Shala ka thënë se në burgun e Smrekonicës duhet të vendosen personat që nuk ka ndonjë interes që të arratiset dhe se sipas tij vlerësimi nuk duhet të jetë vetëm formal por duhet të jetë një vlerësim meritor.

“Duhet të bëhet në secilin një vlerësim e personit të dënuar në tërësinë e rrethanave, do të thotë duke pasur parasysh fillimisht lartësinë e dënimit të shqiptuar të kaluarën e tij, rrethanat specifike të tij, në mënyrë që të dihet se sa është niveli i rrezikshmërisë të arratisjes. Kjo është arsyeja edhe tipet e burgjeve dallojnë që nga tipi i hapur i Smrekonicës deri në burgun e Sigurisë së Lartë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që vlerësimi të jetë adekuatë dhe të jetë specifik në secilin situatë, në mënyrë që të kemi parasysh se sa është rreziku i arratisjes”.

“Vetëm në rastin kur një i burgosur nuk ka ndonjë interes që të arratiset, vetëm atëherë personat e tillë duhet të vendoset në një institucion të tipit të hapur siç është i burgu i Smrekonicës. Në të kundërtën duhet të mbahen në institucionet që janë më të rrepta dhe që mundësia e arratisjes është shumë e vogël. Vlerësimi nuk duhet të jetë vetëm formal por duhet të jetë një vlerësim holistik dhe meritor që bëhet në secilin rast lidhur me nivelin e vlerësimit të rrezikut dhe më pastaj sistemin e tij në një burg të caktuar”, ka thënë Shala.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img