Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndëkombëtare të Drejtësisë për Kosovën para 14-vjetëve përbën një rast të rrallë ku gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocid-bërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare.
Në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Serbia edhe tani i ka tendecat për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së lidhur me Kosovën.
“Ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh. Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Juristë eminentë e referencojnë atë pafundësisht në literaturën moderne kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst post-gjenocidal e post-kolonial bashkëkohor”.
“Tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi që ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë”, ka thënë Kurti.