Me rikthimin e tij te Leçe, Ylber Ramadani ka dhënë një intervistë për mediat e klubit ku ai luan.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka folur për Europianin me Shqipërinë, objektivat sezonale dhe për shokun e tij të skuadrës te Leçe dhe Shqipëria, Medon Berishën.
Ai fillimisht foli për ndjenjën e tij pas “EURO 2024”.
“Jam mirë. Jam kthyer dhe tani fillon një sezon tjetër. Le të shpresojmë që do të shkojë mirë. Kur isha në Euro 2024 të gjithë shokët nga ekipi i Leçes më shkruanin ‘Jemi me ty’. Ishte e mrekullueshme. Shqipëria bëri një kampionat europian të madh, por mund të kishim bërë edhe më mirë”.
Tutje, mesfushori me prejardhje nga Kosova bëri me dije objektivin sezonal me klubin.
“Sigurisht që është mbijetesa. Por si gjithmonë, dua të arrij maksimumin. Shpresojmë të kemi një tjetër sezon të mrekullueshëm”.
Ramadani s’e la pa i komentuar edhe tifozët e Lecces.
“Tifozët tanë janë vërtetë të më të mirët, si në shtëpi ashtu dhe në transferta. Me ta ne mund të bëjmë histori”.
Mesfushori foli edhe për ‘kolegun’ e tij në fushë, Medon Berishën, i cili po ashtu luan te Lecce dhe ishte pjesë e Shqipërisë në “EURO 2024”.
“Ai luajti shumë mirë në ndeshjen e fundit të Serie A dhe trajneri i Kombëtares e shpërbleu. Ai është i ri dhe ka cilësi të jashtëzakonshme, shpresoj t’i shprehë të gjitha”.