2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Vrasja e vitit 2021 në Mitrovicë, i dëmtuari thotë që s’e di kush e kishte plagosur në natën kritike dhe kush e kishte vrarë viktimën

Në rigjykimin ndaj Leotrim Selimit dhe Bejtë Hasanit, të akuzuar për vrasjen e rëndë në shkurt të 2021-ës në Mitrovicë, të premten u dëgjua i dëmtuari/dëshmitari Florim Sadiku, i cili tha se nuk e di se kush e kishte plagosur në natën kritike dhe kush e kishte varë tani të ndjerin M.K.

Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Sadiku tha se atë ditë ka qenë në xhami duke e falur jacinë së bashku me Mentor Beqirin, Behar Halilin dhe tani të ndjerin M.B., kur i kishte thirrë Shpëtim Tahiri dhe iu kishte thënë që të shkojnë në lokal (Proper Pizza) sepse ka probleme.

Ai tha se kur mbërritën në lokal në të cilin punonte, kontaktin e parë e kishte pasur me Leotrim Selimin, ku kishin bërë disa hapa pranë njëri-tjetrit. Tha se ai ia kishte zgjatur dorën, ndërsa dëshmitari Sadiku ia kishte larguar duke e sharë.

Sipas tij, gjatë kontaktit me Leotrim Selimin të cilin e kishte pasur afër rret 1-2 metra, nga pjesa mbrapa tij ishte afruar Behar Halili me diçka në duar në formë të shkopit-hekurit, dhe në ato momente Selimi e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të Halilit.

I dëmtuari Sadiku tha se gjatë momentit kur Selimi ka shtënë me armë rafal, koka e tij ka qenë e kthyer në anën e majtë, ndërsa me dorën e djathë ka shtënë me armë.

“Në fillim të shtënat kanë qenë rafall, tani një nga një”, tha Florim Sadiku.

Sadiku tha se pasi ishte plagosur, 6 ditë kishte qëndruar në gjendje kome në Intensivë në Spitalin e Prishtinës, më pas 2 javë në Urologji, dhe pastaj në shtëpi kishte qëndruar 2 deri në 3 muaj pa lëvizur. E pastaj, tha se për 1 muaj kishte filluar të lëvizte me paterica.

Prokurori Njazi Rexha e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat e dhëna në Prokurori dhe Polici, ku kishte thënë se Leotrim Selimi e kishte vrarë tani të ndjerin M.K., dhe e kishte plagosur atë.

Ndërsa, në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Sadiku tha se nuk e di se kush e ka plagosur dhe nuk e ka parë se kush e ka vrarë M.K.

Lidhur me këtë, Sadiku tha se në kohën kur ka dhënë deklaratë në Polici dhe në Prokurori, ka qenë nën ndikimin e terapisë së rëndë shkaku i gjendjes se tij shëndetësore dhe ajo çfarë sot deklaroi është e vërteta.

Ai tha se në ditën kritike askush nga grupi i tyre nuk kishte pasur armë zjarri dhe askush nga ta nuk e kishte goditur askënd e as tani i ndjeri M.K., nuk kishte tentuar ta sulmojë askënd.

Sadiku deklaroi se në ditën kritike, armë në duar iu kishte parë vetëm Valon Ibishit dhe Leotrim Selimit.

Më pas, seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku u lexuan deklaratat e dëshmitarëve.

Pasi palët deklaruan se nuk kanë propozime për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, mbrojtësi i të akuzuarit Leotrim Selimi, avokati Naser Sopjani propozoi që të bëhet ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik për të mbrojturin e tij, të akuzuarin Selimi.

Avokati Sopjani po ashtu kërkoio të sigurohet evidenca për të kaluarën kriminale për Mentor Beqirin, të ndjerin M.K., Shpëtim Tahirin dhe Florim Sadikun.

Më pas, gjykata aprovoi propozimin e avokatit Sopjani lidhur me ekzaminimin psikatrik të të akuzuarit Selimi në kohën e kryerjes së veprës penale, duke urdhëruar Institutin Psikatrik të Forenzikës për ekzaminim psikiatrik, me arsyetimin se propozimi për ekzaminim psikatrik është i rekomanduar në vendim nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa, u refuzua propozimi iavokatit Sopjani lidhur ekzaminimin psikologjik për të akuzuarin Selimi dhe propozimi për evidencën për të kaluarën kriminale të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, me arsyetimin se dispozitat ligjore të KPP-së nuk përcaktojnë një gjë të tillë.

Seancat e radhës u caktuan për në shtator dhe tetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Të akuzuarit Leutrim Selimi dhe Bejtë Hasani e kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes. Tutje, në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, dhe shtie në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa, në pikën III.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi thuhet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star”, me një karikator dhe tre fishekë, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K., pistoletën e markës “Eibar Star”, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img