Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se partia e tij do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy ligjet e votuara sot, atë për Këshillin e Pavarur të Mediave dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Tahiri tha se përpjekjet e përsëritura të qeverisë për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e medieve dhe fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e këtyre dy ligjeve në seancën e sotme.
“Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Tahiri, transmeton Klankosova.tv.
Për këto dy ligje kanë reaguar edhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, ai i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadori francez, Olivier Guerot, të cilët thanë nëse qeveria do që ta përshpejtojë rrugën e Kosovës drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë në përputhje me standardet e BE-së.
Sipas tyre, këto dy ligje të miratuara sot nuk janë në përputhje me standardet e BE-së pasi qeveria nuk i ka marrë parasysh opinionet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.