Njohës të çështjeve të arsimit i kanë bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që furnizimin me tekste shkollore për vitin 2024-2025, për nxënësit e shkollave të ciklit të ulët, ta bëjë para 1 shtatorit, kështu që viti i ri shkollor mos t’i gjejë nxënësit pa libra.
Ekspertët, Rinor Qehaja dhe Argjend Osmani, kanë thënë se subvencionimi i prindërve për blerjen e teksteve shkollore vitin e kaluar, ka shpërfaqur shumë probleme dhe nuk është treguar efikas.
Drejtor i Institutit “EdGruard”, Rinor Qehaja, ka thënë se në secilin rast që zgjedh MASHTI për furnizim me libra, është e rëndësishme që furnizimin ta bëjë me kohë, duke mos sjell vonesa, pakënaqësi dhe pengesë të drejtpërdrejte për procesin mësimor.
“Në secilin rast edhe nëse modalitet të subvencionimit të drejtpërdrejt teke ekonomitë familjare ose në rast të blerjes së teksteve në shkollat fillore të mesme të ulëta, e rëndësishme është furnizimi me tekste shkollore para një shtatorit. Pra çdo modalitet i shpërndarjes së tekstit ka kuptim nëse përgatitjet janë të tilla që garantojnë shpërndarjen e teksteve në fillimin e vitit të ri mësimor dhe cilido modalitet në momentin kur shkon pas shtatorit atëherë padyshim që sjellë vonesa dhe pakënaqësi dhe pengesë të drejtpërdrejte për procesin mësimor”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Qehaja ka thënë se subvencionimi përmes platformës e-Kosova nuk është dëshmuar mjaftueshëm si efikase, pasi jo të gjithë prindërit dhe nxënësit kanë aplikuar në kohë.
Sipas tij, nëse Ministria vendos që edhe këtë vit të përsëris metodën e njëjtë, atëherë platforma të jetë e hapur për subvencionim menjëherë në mes të korrikut, në mënyrë që nxënësit e shtëpitë botuese të kenë kohën e duhur për përgatitje.
“Subvencionimi përmes platformës e-Kosova, në fund të ditës e ka arrit të njëjtin qëllim pra të shpërndarjes të teksteve shkollore. A ka qenë i shpërndarë në kohë të duhur? Pa dyshim që jo, do doja dhe shpresoj shumë që këtë vit nëse vendoset për këtë modalitet, atëherë platforma të jetë e hapur për subvencionim menjëherë në mes të korrikut, pra që nxënësit, shtëpitë botuese, librarët të kenë kohën e duhur për përgatitje. Mirëpo nëse e njëjta na rikthehet dhe hapet për subvencionim në shtator atëherë nuk e di se kush do të jetë dhe qëllimi i saj. Nuk është dëshmuar mjaftueshëm si efikase, jo të gjithë prindërit dhe nxënësit kanë aplikuar në kohë, unë rikujtoj që jo të gjithë prindërit kanë vetëdijen dhe përkushtimin e njëjtë për aplikim me kohë dhe për sigurim të teksteve shkollore dhe më e rëndësishmja ka një logjistikë të jashtëzakonshme prapa që çdo shtëpi botuese të shpërndajë tekstet e tyre në çdo librari të çdo qyteti, kjo është ajo vështirësia tjetër që padyshim meriton vëmendje”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se thirrja e tyre është që javët ne vijim, jo më larg se 15 korriku, të bëhet e ditur forma e shpërndarjes së librave.
“Padyshim thirrja jonë me shumë rëndësi është që ministria të përcaktojë në javët në vijim pra jo më vonë se 15 korriku se kush është modaliteti ose forma qe ata po dëshirojnë të shpërndajnë dhe të fillojnë shpërndarjen e menjëhershme të teksteve shkollore pra jemi në dijeni që ministria ka miratuar katalogun, ky katalog duhet të shkoj tek aktivet profesionale, tek shkollat, tek DKA, të filloj botimi dhe shpërndarja e menjëhershme. Pra nuk ka asnjë arsye për vonesë ose shpërndarje të teksteve shkollore nga shtatori e tutje, tekstet shkollore duhet të jenë në shkollat tona para 1 shtatorit”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, ka thënë se MASHT-i duhet që të ketë kujdes që të mos përsëris gabimet si vitin e kaluar.
Ai ka thënë se ato probleme duhet të evitohen dhe të gjendet një zgjidhje racionale në mënyrë që edhe taksat e qytetarëve të shfrytëzohen në mënyrë racionale por dhe të ju sigurohen nxënësve kushte optimale për mësim.
“Unë mendoj se Ministria e Arsimit duhet të reflektojë dhe vendimet e tilla që janë të dëmshme për shoqërinë tonë ti evitoj dhe të mundohet të mos i ri-përsëris, unë mendoj se viti i kaluar ka shpërfaqur probleme të shumta duke filluar në problemet me zinxhirin furnizues pastaj me shpërndarjen e mjeteve tek prindërit por edhe me vonesën e furnizimit të fëmijëve me librat. Duke mos-përmendur ndoshta edhe gjërat që janë spekuluar se një pjesë e prindërve fare nuk ua kanë blerë dhe ato mjete nuk i kanë shfrytëzuar për destinimin e qeverisë. Pra probleme krejtësisht të panevojshme të cilat duhet të evitohen dhe duhet të gjendet një zgjidhje racionale në mënyrë që taksat tona të shfrytëzohen në mënyrë racionale për fëmijët tanë dhe të ju sigurojmë atyre kushte optimale për mësim”, ka thënë ai.
Osmani ka bërë thirrje që MASHT-i të merr vendim sa më herët në lidhje me këtë çështje.
“Duhet të merren masa përgatitore, kështu që duhet të fillohet më herët në shqyrtimin e këtyre mundësive. Vendimi duhet të merret sa më herët dhe të jetë transparent dhe shoqëria jonë kosovare pra të dijë se çfarë janë ato plane që Ministria e Arsimit është duke i aplikuar i ka faktikisht në proces. Dhe në rast se prapë kemi tentativa të tjera ne si shoqëri duhet të reagojmë dhe mos të lejojmë ministrinë të bëjë skandale sikur viteve të kaluara”, ka thënë ai.