4.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

“S’e kam pa kush i ka ra plumb n’kry“, dëshmitari rrëfen për vrasjen e vëllait të tij nga paramilitarët serbë 

Në seancën martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviq i cili po akuzohet për krime lufte, dëshmitari Ferat Morina vazhdoi dëshminë e nisur nga seanca e kaluar, ku rrëfeu për vrasjen e E.M. (vëllait të tij), nga paramilitarët serbë më 1999.

“Unë a kam pa kur u rrëzu… s’e kam pa kush i ka ra plumb në kry”, tha dëshmitari Morina, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me të akuzuarin Gjokoviq, dëshmitari Morina thotë se nuk e kishte njohur se kush ka qenë, por vetëm si figurë dhe shton se për të kishte mësuar kush është pas luftës.

Po ashtu, dëshmitari Morina deklaroi se të akuzuarin Gjokoviq, e kishte parë në vendin e ngjarjes në ditën kritike, por se nuk e kishte ditur si e kishte emrin.

Gjatë marrjes në pyetje nga ana avokati Vsilije Arsiq, mbrojtës i të akuzuarit Gjokoviq, prokurori Ilir Morina, pati kundërshtime dhe vërejtje.

“Kundërshtoj pyetjet e avokatit (Arsiq), sepse po i përsëritë pyetjet e mia, ju lutem shikone në senacën e kaluar, se unë e kam pyet”, tha prokurori Morina.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, kërkoi nga mbrojtja që pyetjet të jenë në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të mos përsëriten pyetjet e njëjta.

Prokurori Morina sërish pati vërejtje dhe kundërshtime lidhur me pyetjet e mbrojtjes, duke thënë se edhe avokati Dejan Vasiq, po i parashtronte pyetjet e njëjta.

“Gjykatë me gjithë respektin, që të mos lejoni të përsëriten pyetjet e mia, dikun 40% e pyetjeve që i kam bë në senacën e kalur”, shtoi prokurori.

Kurse, gjykatësi Kurtaj refuzoi përmes aktvendimit pyetjen e avokatit.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, gjykatësi Kurtaj i ka tërhequr vërejtjen prokurorit Morina dhe avokatit Vasiq, me arsyetimin se po diskutonin në senacë pa lejen e Gjykatës.

Fillimisht, gjykatësi Kurtaj njoftoi palët në procedurë për ndryshimin e përbërjes së trupit gjykues. Gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj ai tha se nuk do të jetë më pjesë e këtij shqyrtimi gjyqësor, në vend të saj do të vazhdojë gjyktësi Vesel Ismaili.

Andaj, gjykimi filloi rishtazi dhe në pajtim me palët në procedurë, u konsideruan të lexuara të gjitha deklaratat, shkresat dhe provat deri më tani.

Ndryshimin e përbërjes së trupit gjykues, nuk e kundërshtoi prokurori Morina, e as mbrojtja e të akuzuarit, avokatët Vasiq e Arsiq, me të mbrotjurin e tyre.

Gjykatësi Kurtaj njoftoi se në këtë seancë prezente është edhe prokurorja Ajshe Ferati.

Në këtë seancë, ishte e paraparë të dëgjohej dhe dëshmitari tjetër Halit Gashi, por gjykatësi Kurtaj, lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë tha se do të vazhdohet në senacat e radhës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img