Besiana Kadare, e bija e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare ka postuar në Facebook poezinë “Kohë e pamjaftueshme”, të Kadaresë që sot ka vdekur në moshën 88-vjeçare.
Gjatë ditës ka pasur shumë reagime për vdekjen e Kadaresë, madje kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare.
Më poshtë poezia e Ismail Kadaresë e postuar nga vajza e tij.
Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Ismail Kadare