2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Borell reflekton për dialogun: Në Bruksel do të vijnë njerëz tjerë -do t’i vëzhgojnë me kujdes Kurtin e Vuçiqin

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shpërndarë një blog të Përfaqësuesit të Larte të BE’së Josep Borell rreth dialogut Kosovë – Serbi i cili reflekton për këtë proces pak para largimit nga kjo pozitë. Borell i ka bërë një përmbledhje zhvillimeve të dialogut duke përmendur edhe momentet e rrezikshme si protesta e  serbëve të veriut, të cilët plagosën afër 100 ushtarë të KFORit dhe Banjskën ku u vra një polic i Kosovës.

Borell ka thënë se me dialogun në Bruksel së shpejti do të merren njerëz tjerë, të cilët sipas tij do t’i vëzhgojnë me kujdes Kurtin dhe Vuçiq.

Shkrimi i plotë

Këtë javë isha nikoqir i presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, për tubimin e njëmbëdhjetë të Dialogut Beograd-Prishtinë gjatë mandatit tim. Ndërsa progresi ka qenë i ngadalshëm, disa hapa përpara janë bërë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja mbetet e përkushtuar për të ndihmuar, por në fund, ajo ka nevojë për guximin, vizionin dhe vullnetin politik të liderëve të të dyja palëve.

Kur reflektoj mbi takimet e Dialogut Beograd-Prishtinë gjatë mandatit tim, fillimisht do të mendoja për shumë sfida me të cilat u përballëm: mungesa e angazhimit; mungesa e përparimit; mungesa e zbatimit; mungesa e gatishmërisë për të arritur konsensus. Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave të shumta, ka pasur edhe disa hapa të rëndësishëm përpara.

Kur mora detyrën, gati pesë vjet më parë, vizita ime e parë si Përfaqësues i Lartë më çoi në Kosovë. Në atë kohë, Dialogu i lehtësuar nga BE kishte qenë i bllokuar për dy vjet dhe kishte nevojë për një ripërtëritje. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Është thelbësore për të zhbllokuar një të ardhme evropiane për të dyja palët dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Në prill 2020, unë emërova Miroslav Lajçák si Përfaqësues të Posaçëm të dedikuar për të rikthyer procesin në rrugë të drejtë. Ne fillimisht avancuam në kapituj të ndryshëm të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse gjatë verës së vitit 2020. Megjithatë, dinamika të ndryshme politike në rajon dhe një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks u përkuan me shumë kriza, tensione dhe përshkallëzime.

Kemi parë ngritje dhe ulje të barrikadave, duke kulmuar me dorëheqjen kolektive të serbëve të Kosovës nga pozitat e tyre në gjyqësorin, policinë dhe administratën e Kosovës. Kjo përbënte një pengesë serioze.

Momentet më të rrezikshme ndodhën në maj 2023, kur protestat në veri të Kosovës u bënë të dhunshme, duke lënë më shumë se 90 paqeruajtës të KFOR-it të plagosur. Dhe më pas, më 24 shtator 2023, kur më arriti lajmi gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, se një inkursion i armatosur në të njëjtën zonë kishte rezultuar në vrasjen e një oficeri të policisë së Kosovës dhe zbulimin e një sasi tronditëse të municioneve të nivelit ushtarak.

Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave dhe vështirësive, shumë takimet, vizitat dhe thirrjet tona kanë kontribuar gjithashtu në hapa të rëndësishëm përpara, të cilët nuk duhen harruar. Dialogu ka sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.

Para së gjithash, ne bëmë të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të udhëtojnë lirisht midis Kosovës dhe Serbisë duke përdorur kartat e tyre të identitetit, duke hequr përfundimisht dokumentet e hyrje-daljes. Dhe ne zgjidhëm çështjen e targave të makinave me njohjen e ndërsjellë të targave midis Kosovës dhe Serbisë. Tani njerëzit mund të udhëtojnë lirshëm brenda dhe midis tyre. Liria e lëvizjes është një pjesë thelbësore e normalizimit të marrëdhënieve. Ne gjithashtu arritëm të shkojmë drejt përfundimit të praktikës së paqëndrueshme 20-vjeçare të mos-pagesës së energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Por më e rëndësishmja, arritëm të nënshkruajmë të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e saj të Zbatimit në shkurt dhe mars 2023. Arritja e një marrëveshjeje të tillë në kohë të një lufte të paprecedentë në shkallë të plotë në kontinentin tonë, ishte një arritje e rëndësishme. Për herë të parë, kemi vendosur një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit. Fatkeqësisht, zbatimi i saj ende nuk ka filluar në mënyrë të plotë dhe të dyja palët mbajnë përgjegjësi për mos përmbushjen e asaj që premtuan të bënin më shumë se një vit më parë.

Si pjesë e kësaj Marrëveshjeje, ne trajtuam çështjen e krijimit të Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, një nga çështjet më të ndjeshme në Dialog. Kjo ishte parashikuar tashmë në Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Për të ndihmuar procesin të ecë përpara, ne paraqitëm të ashtuquajturin Draft Statuti Evropian për të trajtuar këtë çështje të ndjeshme, por deri tani nuk është bërë realitet.

Fatkeqësisht, takimi i Dialogut të kësaj jave nuk solli asnjë përparim në zbatimin. Diskutimet ishin po aq të vështira sa gjithmonë dhe, në fund, nuk pati as një takim ballë për ballë midis Presidentit dhe Kryeministrit. Serbia ishte e gatshme të takohej, por Kosova më kërkoi të përcjell një sërë parakushtesh. Aktualisht pozicionet e dy palëve mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Megjithatë, puna do të vazhdojë: Negociatorët Kryesorë të Palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për të punuar mbi hapat konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes.

Si përmbledhje, ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të avancojë vetëm aq shpejt sa janë të gatshëm të lëvizin të dyja palët. Lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa duan Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të tjerë do të jenë përgjegjës për këtë çështje në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të zhduken.

Të gjithë do të vazhdojnë të shikojnë gatishmërinë e Presidentit serb dhe Kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, kjo kërkon guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë me çdo hap përgjatë rrugës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img