Bekim Xhemili kurator në Muzeun Etnologjik të Kosovës, sjellë librin e tij të parë për Artizanatet Tradicionale të Kosovës.
Libri është një udhëtim nëpër botën artizanale të Kosovës, që shpaloset me anë të fotografive mahnitëse të eksponateve, të aktiviteteve dhe të ambienteve muzeale, të cilat janë të ndërthurura me historitë njerëzore të artizanëve që i mbajnë gjallë traditat, transmeton Telegrafi.
Xhemili për Telegrafin rrëfen si e ka filluar shkrimin e këtij libri dhe vështirësitë të cilat i ka hasur.
“Mbledhja e lëndës dhe materialeve për këtë libër ka fillua, që nga fillimi i punës time në muze si etnolog – kustos në vitin 2006, ndërsa punë të pandërprerë 4 vite deri në botim. Sfidat kryesore kanë qenë përzgjedhja e fotografive dhe teksteve, pasi kam pasur shumë materiale, pastaj intervistat me artizanët dhe artistët tradicional dhe historitë e tyre familjare”, thotë ai.
Ai gjithashtu na njofton me përmbajtën e librit ku flet për argjendari, filigran, plisaxhinjë, drugdhendje, arti i lyerjes së fytyrës që praktikohet në disa zona shqiptare, farkëtari, poçar e shumë e shumë artizanate që i përkasin kulturës Shqiptare.
“Libri në pjesë qendrore ka punën, kontributin, të arriturat e Javës së artizanateve, që si aktivitet është organizuar në muzeun etnologjik në katër edicione, 2008,2010,2012,2014, me ç’ rast kanë prezantuar punën, zejen, mjeshtërinë dhe artin tradicional mbi 100 zejtarë nga vendet e ndryshme të Kosovës. Libri ka 3 kapituj, duke filluar me historinë e muzeut etnologjik, aktivitetet kulturore përgjatë viteve. Kapitulli dytë vazhdon me prezantimin e 10 zejeve kryesore të zejtarisë së vendit tonë, argjendaria – filigrani, plisaxhinjët, drugdhendja, tekstilet, arti i lyerjes së fytyrës, farkëtaria, briskaxhinjët punimet e bakrit, teneqexhinjët, poçaria. Libri ka 139 fotografi artistike, ku pjesa më e madhe janë nga koleksioni im privat. Pjesa e tretë e librin përfshinë kujtimet dhe përshtypjet e miqve besnik të muzeut përgjatë viteve”, tha ai.
Duke i pasë parasysh ndryshimet që ka pësuar bota dhe në veçanti kultura, ky libër sipas Xhemilit synon të promovojë rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
“Libri është një udhëtim i punës time shumëvjeçare në muze, në promovimin dhe demonstrimin e zejeve tradicionale ne ambientet e muzeut. Gjithashtu, libri paraqet artin e bukur popullor dhe eksponatet e fondit të muzeut. Botimi synon, përveç tjerash promovimin dhe sensibilizimin e rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe të trashëgimisë shpirtërore në veçanti”, tha ai.
Ndryshe autori Bekim Xhemili, planifikon që librin ta promovojë në vjeshtë së bashku me artizanët dhe bashkëpunëtorët, të cilët i falënderon për bashkëpunimin.