Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 4 gushtit ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Projektligji në fjalë do të shkojë me procedura të rregullta në Kuvend, mirëpo ende nuk dihet dita kur do të mbahet seanca.
Ky veprim i Qeverisë së Isa Mustafës po shihet i gabuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi. Mirëpo, ndonëse deputetët e Malit të Zi e kanë ratifikuar Marrëveshjen e vijës kufitare me Kosovën, deputeti i LDK-së thotë se ka ende një shans të fundit.
Bulliqi tregon për “Indeksonline” se rruga e duhur është ridiskutimi dhe përmirësimi i gabimeve që janë krijuar nga Komisioni Shtetëror, të cilin e ka udhëhequr nga Murat Meha.
“Mendoj se është e vonuar shumë Qeveria e Republikës sepse gjithmonë jam i bindur se ka mundur të mënjanohet ky problem para se të ratifikohet nga pala malazeze. Tash kemi ardhur në një fazë që është relativisht vështirë për me dhënë një konkluzion se si do të zhvillohet procesi tash e tutje. Në realitet Qeveria e ka pru materialin në Kuvend. Në atë marrëveshje Qeveria gjoja se ja ka shtuar një konkluzë që në momentin se gjenden fakte të rishikohen edhe njëherë këtë çështje, mirëpo problemi është se në ratifikimin e Malit të Zi nuk shkruan kjo konkluzë”, ka thënë ai.
Profesori i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, thotë se në nivelin që tash jemi është problematike situata, pasi, sipas tij, Mali i Zi veçse e ka ratifikuar Marrëveshjen në Parlamentin e tyre, ndërsa Kosova ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Mendimi jem është që Kuvendi i Kosovës ta refuzojë dhe të ulemi bashkërisht me palën malazeze dhe të merremi vesh që t’i rregullojmë gabime që janë bërë nga komisioni shtetëror. Por, nëse pala malazeze nuk pajtohet për këto rishikime, atëherë duhet të merremi vesh dhe ta dërgojmë në arbitrazh ndërkombëtarë këtë çështje”, ka thënë ai.
Zyrtarë të partisë më të madhe opozitare në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” janë duke apeluar që të dilet në rrugë për të protestuar kundër ratifikimi të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, këto veprime nuk japin ndonjë rezultat konkretisht sipas deputetit Bulliqi.
“Nuk jam përkrahës i protesta dhe as i destabilizimit të situatës. Ndoshta dikujt do ti konvenojë destabilizimi i sigurisë. Duhet të ruhet qetësia, pasi në fund të fundit janë institucionet e Kosovës që duhet ta zgjedhin çështjen. Rruga nuk mund ta zgjedh këtë problem. Por e vetmja është Qeveria dhe Komisioni Shtetëror janë ata që duhet ta zgjedhin”, ka thënë ai. /Indeksonline/