Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës është falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi.
Haradinaj për nder të 25-vjetorit të çlirimit, i ka ndarë kryeministrit Blair medaljen “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet”.
“Me respekt dhe mirënjohje, për shërbimin, rolin dhe kontributin e tij në ndalimin e gjenocidit, mbështetjen e çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për një shtet të pavarur, Kryeministrit Tony Blair, në 25-vjetorin e Çlirimit, i dedikova medaljen, “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka shtuar se kontributi i kryeministrit Blair për Kosovën është vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global.
“Kontributi i Shkëlqësisë së Tij, z. Blair, për lirinë e popullit të Kosovës, janë vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global, i cili tashmë ka hyrë në kapitullin e pashyler të historisë britanike, shqiptare dhe botërore. Populli i Kosovës është përgjithmonë falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi”, është shprehur Haradinaj.