Qeveria e Kosovës ka marrë të premten vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Leposaviq e Zubin Potok, komuna këto në veri të vendit për projekte infrastrukturore.
Ky vendim është marrë në një mbledhje elektronike të Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar: Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës.”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Ky vendim përfshin shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut.
Ndaj vendimin të qeverisë reaguan ndërkombëtarët që e quan shqetësues dhe të papranueshëm, shkruan Reporteri.net.
Shtetet e QUINT-it, ku përfshihen ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në reagimin e QUINT-it dhe BE-së, thuhet se “disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.
“Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.
Tutje, theksohet se përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, “na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.
“Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht”, thuhet tutje.
“Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”, thuhet tutje në reagimin e QUINT-it dhe BE-së.
Tutje, theksohet nga QUINT-i dhe BE-ja që qeveria t’i përmbahet sundimit të ligjit.
“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, përfundon reagimi.
Ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke e quajtur vendimin e ekzekutivit kosovar të papranueshëm.
Po ashtu, ajo përmes një konference në Parlamentin Evropian, tregoi se se kur do të vijë në Kosovë, do të shkojë në veri që të bisedojë me banorët e asaj zone për këtë vendim.
“Jemi ne dijeni për këtë dhe është absolutisht e papranueshme, ka një arsye pse kur të shkoj në Kosovë do shkoj edhe në veri që të flas me qytetarët dhe të hulumtoj më shumë për këtë dhe më pas të përball Qeverinë në Prishtinë me situatën”, tha ajo.
Po ashtu, von Cramon shprehet se gjendja në veri të Kosovës është fragjile dhe nuk është në interesin e BE-së që të ketë më tepër tension.
“Kjo është një prej shqetësimeve të mia kryesore për momentin sepse e shohim që stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë ashtu, është shumë fragjil. Nuk mund të jetë në interesin tonë që të ketë më shumë zjarr në këtë proces. Definitivisht do merremi më këtë”, ka deklaruar ajo.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke, por shtoi se “në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, me gjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme”.
“Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj”, theksoi Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Në Shtetet e Bashkuara, ai tha se sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat pasi kjo është çështje e ndjeshme sepse njerëzit i duan pronat e tyre.
“Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi patur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”.
“Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh”, theksoi diplomati amerikan në Kosovë.
Zyra e BE-së në Prishtinë përmes një komunikate për media kanë thënë se janë në dijeni për vendimin preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Nga BE-ja konstatojnë se çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra dhe për këtë arsye kanë numëruar disa hapa të cilët duhej të ishin ndjekur. Këtu përmendin informimin paraprak të pronarëve, informacionet gjithëpërfshirëse për pronaret e pronave, të drejtën e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, dhe mundësinë e kompensimit adekuat, hapa të cilët sipas tyre duhej ndjekur përpara se procesi të vijë në përfundim.
Në këtë reagim thonë se themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore, sipas BE-së, në disa raste edhe para fillimit të procedurave të shpronësimit “ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrën e duhur nga institucionet”.
“BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësishtë procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve të prekur dhe mbajtësve të interesit respektohen plotësisht”, përfundon reagimi i Zyrës së BE-së.
Në reagimin e Qeverisë të Kosovës të publikuar në Facebook, lidhur me deklaratën e tyre të përbashkët se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”, thuhet se shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria dhe jo nga etnia.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova respektoi ligjin për shpronësimet në veri, por aleatëve duhet t’u sqarohet më në detaje.
“Besoj që ka ndoshta ende hapësirë për komunikim që të sqarohen në detaje nga institucionet përgjegjëse tek partnerët , në mënyrë që të sigurohen që të gjithë, që e tëra që Kosova ka bërë është që ka respektuar standardet e gjykatës evropiane. S’shoh tendencë për diskriminim mbi baza etnike, por thjesht respektim i standardeve”, ka deklaruar ajo.
Çfarë thotë ligji?
Ligji për Shpronësimin thotë se Qeveria e Kosovës mund të shpronësojë në kushte të caktuara, por se në ato raste, komuna, në territorin e së cilës kryhet shpronësimi, ka të drejtë ta kundërshtojë në gjykatë ligjshmërinë e shpronësimit dhe/ose shumën e kompensimit.
Përveç veprimeve për realizimin e të drejtave të parapara me ligj, asnjë komunë apo autoritet publik komunal nuk mund ta parandalojë apo pengojë shpronësimin.
Në ligj gjithashtu thuhet se shpronësimi i pronës së paluajtshme mund të kryhet vetëm nëse prona nuk është përzgjedhur për qëllime të zbatimit të ndonjë objektivi diskriminues.
Kujtojmë se më 10 janar të vitit 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një vendim preliminar për shpronësimin e tokës në Leposaviq dhe Zubin Potok, me arsyetimin se janë planifikuar “projekte infrastrukturore me interes publik”, por pa specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.
Se sa është sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit nuk u bë e ditur publikisht, por ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, kishte treguar për REL se bëhet fjalë për 83 hektarë në atë komunë.
Për komunën e Zubin Potokut dihet vetëm se toka gjendet në zonat kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Veli Breg, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.
Bëhet fjalë për trembëdhjetë parcela që ishin në pronësi private, gjashtë në pronësi shoqërore dhe një është në pronësi të Komunës së Leposaviqit. /Reporteri