Ndonëse u kujdes që të saktësojë se “nuk ka luftë politike” mes Presidencës dhe pushtetit ekzekutiv, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e lëshoi një ‘thumb’ të dukshëm ndaj qeverisë sot kur tha se “nuk jam unë ajo që e ka shpallur draft-Statutin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën”; duke folur për draft-Statutin e BE-së të dorëzuar në Kosovë në fund të tetorit të vitit të kaluar.
Në atë kohë, rikujtojmë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Parlamentin e Kosovës e kishte vlerësuar si “në përputhje me germën e kushtetutës ndonëse jo me frymën” ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ishte shprehur se “e lexova sipërfaqësisht, ishte tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Këto ishin javët e para që kur kishte ardhur draft-Statuti.
Këtu duket se rroku Vjosa Osmani: “Draft-Statutin e tetorit të vitit të kaluar unë nuk e kam shpallur në përputhje me Kushtetutën, dhe as që mundem ta bëjë një gjë të tillë. Kjo është e GJK-së, por kam shprehur shqetësime për së paku tri tema kapitale në atë statut të cilat duhet të trajtohen përpara se ne mund të flasim për ndonjë zbatim eventual”.