Në Bashkimin Europian nga nesër qytetarët do të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian. Zgjedhjet do të zgjasin nga 6 deri më 9 qershor, ndërsa periudha pasuese do të caktojë edhe udhëheqësit e rinj të BE-së. Procesi i atjeshëm zgjedhor ka prekur edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Miroslav Lajçak është ende në krye dialogut Kosovë-Serbi deri në muajin gusht meqë shtatori e gjen në Zvicër si ambasador i BE-së. Megjithatë, ai duket se ka pauzuar punën e tij edhe për këta muaj të mbetur.
Kohët e fundit, Lajçakut i ra të merrej me çështjet që shkaktoi ndalimi i përdorimit të dinarit serb në Kosovë nga Banka Qendrore. Atij iu desh të mbante shtatë takime mes kryenegociatorëve në lidhje me këtë temë nga 28 shkurti deri më 15 maj dhe në fund nuk u arrit ndonjë zgjidhje. Pas këtyre përpjekjeve, Lajçak njoftoi se tashmë në dorë e kanë palët nëse do të ketë takim tjetër.
“Unë jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, tha Lajçak më 15 maj në postimin e tij të fundit në X.
Qe një kohë, Lajçak i ka ndalë edhe njoftimet e tij të përjavshme edhe në Facebook në lidhje me detyrat e tij për dialogun.
Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e dha sot një zotim se Lajçak do të vazhdojë të jetë i angazhuar edhe përgjatë këtyre muajve sa është në detyrë e sa ka tranzicion në udhëheqjen e BE-së.
“Tranzicioni nuk e prek pozitën e Përfaqësuesit Special të BE-së. Mandati i Lajçakut vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim. Ai vazhdon të jetë plotësisht i angazhuar në shkëmbime me një numër partnerësh në BE dhe në skenën ndërkombëtare për të provuar lëvizjen e gjërave përpara me prioritet, sigurisht, implementimin urgjent të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Stano sot në konferncë.
Kryengeociatorët e Kosovës dhe Serbisë e patën datë të fundit të takimeve 15 majin, ndërsa një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq daton shumë më herët – vitin e kaluar.
Gazeta Express ka pyetur zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, nëse kanë në plan organizimin e një takimi të këtij profili derisa zbatimi i Marrëveshjes Bazike ka ngecur, megjithatë ai dha përgjigjen e zakonshme.
“Të gjitha takimet përkatëse në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë atë të nivelit të lartë, do të njoftohen në mënyrën e duhur kur është e nevojshme”, tha Stano.
Përfaqësuesit të Lartë i BE-së, Josep Borrell, mund të mos i bie më që të merret me organizimin e një takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit, por atij i duhet ta përfundojë një raport për heqjen ose jo të masave ndëshkuese të bllokut ndaj Kosovës para se të përfundojë mandatin e tij në krye të diplomacisë së BE-së.
Stano edhe për këtë çështje përsëriti që raporti është në finalizim e sipër, por nuk tregoi nëse ka datë të caktuar kur ai duhet ta dorëzojë atë te shtetet anëtare.
“Këshilli ftoi Përfaqësuesin e Lartë që të paraqesë një raport për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Raporti është duke u finalizuar dhe së shpejti do t’i paraqitet Këshillit”, tha Stano për Express.
Këshillit Europian do t’i duhet të caktojë edhe zëvendësin e Lajçakut për t’u marrë me dialogun Kosovë-Serbi në vitet e ardhshme.
Express e ka pyetur Stanon edhe për kandidaturën e shpallur nga ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili kishte deklaruar se e sheh veten si të përshtatshëm për këtë pozitë edhe për shkak se vendi i tij i takon rajonit të Ballkanit dhe se Sllovenia e njeh Kosovën shtet.
Por, Stano tha se nuk mund të flasin për këtë çështje për shkak të konfidencialitetit.
“Procesi i lidhur me rishikimin e pozicionit të Përfaqësuesit Special për Dialogun zhvillohet në Këshill ndërmjet shteteve anëtare dhe është i brendshëm dhe konfidencial. Prandaj ne nuk e komentojmë këtë proces në opinion”, tha Stano në përgjigjen me shkrim për Express.