-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Bundestagu vendos javën tjetër për vendimin e Qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të ushtarëve të KFOR-it

Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë për një vit tjetër qëndrimin e Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të KFOR-it për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon. Si më parë, deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision. 

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, tha: “Prej tashmë 25 vjetësh, Bundeswehr-i po kontribuon në mënyrë aktive në stabilizimin dhe sigurimin e paqes në Kosovë.” Ai theksoi se kontributi i KFOR-it është i nevojshëm për stabilizimin e sigurisë dhe konsiderohet si një shtyllë kryesore e stabilitetit në rajon.”

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Müller, tha se mandati mbetet i pandryshuar. “Ne veprojmë sipas mandatit ekzistues. Kompania gjermane në NATO është në gatishmëri dhe ka marrë kompetenca shtesë, si kontrolli i turmave dhe trazirave.” I pyetur për një strategji daljeje nga Kosova, Müller shtoi: “Operacionet e kësaj përmasash diskutohen dhe miratohen gjithmonë nga parlamenti. Ne zbatojmë këtë mandat derisa të vendoset që nuk është më i nevojshëm.”

Vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman

Bundestagu do ta trajtojë këtë vendim të qeverisë më 6 qershor 2024, me një debat 40-minutësh. Pas debatit, kërkesa do të kalojë për shqyrtim të mëtejshëm në komisionet përkatëse, të kryesuar nga Komisioni i Jashtëm. Pritet që vendimi, sikurse edhe vitet e mëparshme,  të miratohet me shumicë dërrmuese të votave nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë, SPD, FDP dhe Të gjelbrit, dhe nga grupi më i madh opozitar, CDU/CSU. 

Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Qeveria gjermane e paraqet mandatin çdo vit për rishikim dhe miratim në parlament për të siguruar një proces demokratik dhe transparent. Kostoja e misionit për një vit përllogaritet të jetë rreth 21,8 milionë euro. Në prill, qeveria gjermane forcoi përkohësisht kontributin e saj në KFOR me një kompani shtesë për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës. 

Situtata e sigurisë në veri mbetet e brishtë 

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përkeqësuar që nga viti 2022, me përleshje të dhunshme në Zveçan dhe një sulm paramilitar në Banjskë. Tensionet politike vazhduan edhe në fillim të vitit 2024, përfshirë zgjedhjet e mundshme në komunat veriore dhe rregullimet financiare midis Serbisë dhe Kosovës.

Duke marrë parasysh tensionet, stabilizimi përmes KFOR-it dhe prania e Bundeswehr-it në Kosovë mbeten thelbësore. Në planin afatgjatë, Gjermania synon kalimin e përgjegjësisë së sigurisë tek institucionet kosovare. Deri atëherë, prania e KFOR-it mbetet e nevojshme për të parandaluar konfliktet dhe përshkallëzimet afatshkurtra, thuhet në kërkesën e qeverisë gjermane drejtuar parlamentit.

Fotografi: picture alliance/dpa

KFOR-i mbetet garant për sigurinë në rajon

KFOR është krijuar për të garantuar sigurinë në Kosovë dhe mbikëqyrjen e strukturave profesionale, demokratike dhe multi-etnike. Përfshirja e Bundeswehr-it përfshin mbështetjen e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe aktorëve të tjerë në kuadër të reformës së sektorit të sigurisë.

Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet baza për KFOR-in, të cilën të dyja vendet dëshirojnë ta vazhdojnë. Politikat e qeverisë gjermane synojnë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështetjen e stabilitetit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës./DW

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img